165 studentë të UBT-së përfunduan euro-tripin e sivjetshëm

22/12/2023

Fakultetet: Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Dizajn i Integruar dhe Inxhinieri e Ndërtimit (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT, organizuan një vizitë studimore në vende të ndryshme evropiane. Nga Kroacia në Slloveni, Itali, Zvicër, Francë, Holandë, Gjermani dhe Austri, studentët dhe stafi i fakultetit kanë zhvilluar një rrugëtim të pasur me eksperienca të shumta.

165 studentë të udhëhequr nga profesorët: Dr. Muhamet Ahmeti, Dr. Ajhan Bajmaku dhe MSc. Bard Bajçinovci, filluan udhëtimin me vizitën e parë në Slloveni, në qytetin Lubjana. Atje, studentët kanë vizituar Muzeun e Arteve dhe janë pritur nga drejtoresha e muzeut, e cila i ka udhëzuar ata në fazat e ndërtimit të muzeut dhe ekspozitat e tij të veçanta. Gjatë vizitës, studentët janë njohur me modele artistike, vegla pune historike dhe zhvillimin e koncepteve të artit ndërkombëtar.

Vazhdimi i rrugëtimit i ka sjellë studentët në qytetin e ujit, në Venecia, ku kanë pasur mundësinë të studiojnë arkitekturën gotike në ndërtesat dhe monumentet e tij të njohura si Bazilika e San Markut dhe Ura Rialto. Në këtë qytet magjik, ata kanë parë gjurmët e historisë dhe arkitekturës së vjetër.

Në Itali, rrugëtimi ka vazhduar drejt Milanos, ku studentët kanë vizituar Duomo di Milano, Galleria Vittorio Emanuele II dhe shumë objekte të tjera arkitektonike. Pastaj, ata kanë shkuar në Paris, ku kanë eksploruar muzeun e arkitekturës, Kullën e Eiffel-it, Muzeun Louvre, Katedralen Notre-Dame, Arc de Triomphe dhe shumë objekte të tjera të rëndësishme.

Roterdami dhe Amsterdamit iu është dedikuar një faze tjetër tw rrugëtimit tw tyre, ku studentët kanë vizituar objekte arkitektonike moderne si Cube Houses dhe Market Hall në Roterdam dhe muzeume të njohura në Amsterdam si EYE Filmmuseum dhe Rijksmuseum.

Në vizitat e tyre në Berlin dhe Dessau në Gjermani, studentët kanë njohur historinë e murit të Berlinit, muzetë e Bauhaus dhe shumë objekte të tjera të cilat kanë shënuar periudhën e ndryshme arkitektonike dhe historike.

Vizita ka përfunduar në Pragë, ku studentët kanë vizituar Fakultetin e Arkitekturës, kryeqytetin e vjetër, dhe objekte të njohura si Kulla e Pragës dhe Katedralja Vitus. Pastaj, ata kanë vazhduar drejt Vjenës, duke vizituar objekte të rëndësishme arkitektonike dhe institucione si Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit, MAK – Muzeu i Arteve të Aplikuara, dhe Pallati Belvedere.

Vizita studimore ka përfunduar me sukses, duke i dhënë studentëve një eksperiencë të pasur arkitektonike dhe kulturore në disa nga qytetet më të njohura të Evropës. UBT vazhdon të kontribuojë në zhvillimin profesional të studentëve të saj përmes organizimit të këtyre vizitave stimuluese dhe edukative.