BIRN mban trajnim për gazetari hulumtuese për studentët e UBT-së

14/06/2018

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) mbajti trajnim për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim, që u fokusua tek tema “Përmirësimi i standardeve të gazetarisë hulumtuese përmes përvojave të përbashkëta”.

Trajnimi filloi me ligjëratën e mbajtur nga redaktorja në Kallxo.com, Laura Limani, e cila, në formë rikujtimi për studentët, trajtoi aspektin teorik dhe bazën e zhvillimit të profesionit të gazetarisë. Ndërkaq, në pjesën e dytë ajo trajtoi standardet më të mira të etikës në gazetari, çështjen e respektimit të tyre dhe problemet e dilemat etike me të cilat po përballen gazetarët kosovarë momentalisht.

Zyrtari ligjor i BIRN-it, Labinot Leposhtica ka sqaruar çështjen e edukimit për pasojat ligjore që mund të vijnë nga raportimi i pasaktë, shkeljet e privatësisë dhe shpërndarja e të dhënave personale. Po ashtu, ai trajtoi edhe mënyrën e drejtë të raportimit nga gjykatat, raportimi në situata krizash, raportimin për terrorizëm, ekstremizëm të dhunshëm, abuzim të fëmijëve, katastrofa natyrore dhe raportim për incidente kriminale.

Redaktori Visar Prebreza para studentëve shtjelloi përdorimin e mediave sociale për të hulumtuar dhe mundësitë e pikëtimit të lajmeve të rreme në rrjete sociale, hulumtimin e thellë në dokumente publike dhe edukimin për rrugët ligjore për qasje në dokumente publike, si dhe përdorimin e sinjalizuesve e platformave për raportim të korrupsionit dhe informacioneve nga qytetarët, për të hulumtuar raste të mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prebreza i njoftoi studentët edhe me lansimin e produktit më të ri të BIRN-it, Krypometrin, i cili po shërben si matës i mbajtjes së premtimeve të dhëna nga politikanët dhe persona të tjerë, në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve, premtime këto që në Krypometër dalin si të realizuara ose jo.

Në fund të trajnimit, për studentët pjesëmarrës u certifikuan dhe të njëjtit fituan të drejtën për të aplikuar për bursën e realizimit të një hulumtimi rreth një teme me rëndësi për vendin dhe rajonin. Bursa në fjalë do të sigurojë mbështetje financiare dhe profesionale për studentët fitues.