UBT organizon sesion informues në Prishtinë për projektin DiBS dhe European Researchers’ Night 2026

07/09/2026

UBT do të organizojë më 15 shtator 2026, në Prishtinë, një sesion informues në kuadër të projektit Digital Bridges: Science, Media, Society (DiBS), në përgatitje për European Researchers’ Night 2026, që do të mbahet më 25 shtator.

Sesioni informues do të ketë për qëllim prezantimin e projektit DiBS, aktiviteteve të European Researchers’ Night dhe rëndësisë së komunikimit të shkencës me publikun e gjerë.

Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen më nga afër me rolin e studiuesve në shoqëri, si dhe me mënyrat se si shkenca, teknologjia dhe inovacioni ndikojnë në jetën e përditshme. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rëndësisë së përcjelljes së njohurive shkencore në mënyrë të kuptueshme dhe të qasshme për qytetarët.

Ky aktivitet synon të nxisë interesimin për shkencën dhe të promovojë bashkëpunimin ndërmjet studiuesve, mediave dhe shoqërisë, duke krijuar mundësi për informim dhe ndërveprim me komunitetin.

Sesioni në Prishtinë është pjesë e tri aktiviteteve informuese që UBT do të organizojë më 15, 16 dhe 17 shtator, në kuadër të përgatitjeve për European Researchers’ Night 2026.

Projekti Digital Bridges: Science, Media, Society (DiBS) financohet nga Bashkimi Evropian.