UBT dhe Instituti Yunus Emre bashkojnë artin dhe komunikimin përmes filmit “The Colors of Nazar”

16/10/2026

Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT, në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre në Prishtinë, organizoi shfaqjen e dokumentarit “The Colors of Nazar” (“Ngjyrat e Mësyshit”), duke krijuar një hapësirë për ndërveprim mes studentëve dhe profesionistëve të industrisë audiovizuale. Aktiviteti, i mbajtur në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së, u shndërrua në një mundësi për të lidhur mësimin akademik me përvojat konkrete të krijimit të filmit dokumentar.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, z. Ramadan Yilmaz, ndërsa pas shfaqjes u organizua një panel diskutimi me ekipin realizues të dokumentarit.

Regjisori Dr. Fatih Diren, drejtori i fotografisë Evrim Inci, protagonistja Gizem Özdemir dhe profesori Berk Kyqyk ndanë me studentët përvojat e tyre nga procesi i realizimit të filmit, duke diskutuar mbi aspektet artistike, teknike dhe profesionale të produksionit audiovizual.

Përmes pyetjeve dhe bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me procesin e xhirimeve, teknikat kinematografike dhe sfidat që shoqërojnë realizimin e një dokumentari. Ky ndërveprim u ofroi atyre një perspektivë praktike mbi mënyrën se si ndërthuren rrëfimi, imazhi, kreativiteti dhe komunikimi në prodhimin e përmbajtjeve audiovizuale. Në këtë aktivitet morën pjesë dekani dhe prodekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, profesorë dhe studentë të UBT-së.

Aktivitete të tilla janë pjesë e rëndësishme e përvojës akademike në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, duke u krijuar studentëve mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar mendimin kritik dhe për t’u njohur me profesionistë që veprojnë në fushën e filmit, medias dhe komunikimit. Përmes takimeve me regjisorë, producentë, artistë dhe ekspertë të industrisë, studentët kanë mundësi ta lidhin teorinë me praktikën dhe të kuptojnë më mirë dinamikat e sektorit kreativ dhe audiovizual.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbim kulturor dhe akademik, duke afruar studentët me krijimtarinë filmike dhe duke nxitur dialogun ndërmjet kulturave përmes artit dhe komunikimit.