First Kosova fiton dy çmime ndërkombëtare për rrjetet sociale dhe video-tregimin në FIRST Global Challenge 2026
14/10/2026Ekipi First Kosova është vlerësuar me dy çmime në kuadër të FIRST Global Challenge 2026 në Korenë e Jugut, duke u dalluar për angazhimin në rrjetet sociale dhe për video-tregimin (video storytelling) gjatë garës ndërkombëtare të robotikës.
Përveç suksesit në garën e robotikës, ku Kosova u rendit e katërta në botë në kuadër të aleancës me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën, ekipi është vlerësuar edhe për mënyrën se si e dokumentoi dhe komunikoi përvojën e tij në këtë ngjarje globale.
Çmimet për rrjetet sociale dhe video-tregimin vlerësojnë rëndësinë e komunikimit kreativ në prezantimin e punës së ekipeve, përvojave të tyre dhe ideve që qëndrojnë prapa zgjidhjeve teknologjike. Përmes përmbajtjeve digjitale, ekipi First Kosova ka përcjellë momente nga gara, përkushtimin e të rinjve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke e bërë rrugëtimin e tij të dukshëm për publikun.
Në një garë që bashkon të rinj nga 191 shtete, komunikimi digjital është një mënyrë e rëndësishme për të treguar se inovacioni nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i robotëve, por përfshin edhe aftësinë për të rrëfyer ide, përvoja dhe histori që frymëzojnë të tjerët.