Prof. Alban Kuriqi, i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe ndër universitetet private shqipfolëse në rajon për vitin 2025 

08/10/2026

Prof. Alban Kuriqi, nga UBT, renditet i pari në Kosovë për ndikimin shkencor gjatë karrierës dhe i pari ndër studiuesit e identifikuar të universiteteve private shqipfolëse në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025, sipas një analize krahasuese të të dhënave ndërkombëtare Stanford/Elsevier. 

Prof. Kuriqi rezulton gjithashtu i vetmi studiues i identifikuar nga universitetet private të Kosovës në të dyja kategoritë e analizuara, që përfshijnë ndikimin shkencor gjatë vitit 2025 dhe ndikiminshkencor përgjatë karrierës. Në krahasimin me studiuesit e identifikuar nga të gjitha universitetet e Kosovës, ai renditet i dyti për ndikimin shkencor gjatë vitit 2025. 

Këto rezultate bazohen në përditësimin e vitit 2026 të databazës Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators, e cila mbështetet në të dhënat bibliometrike të Scopus dhe vlerëson ndikimin shkencor përmes treguesve të standardizuar të citimeve. 

Kontributi shkencor dhe rëndësia për UBT-në 

Veprimtaria kërkimore e Prof. Kuriqit përqendrohet në inxhinierinë hidraulike, menaxhimin e burimeve ujore, hidroenergjetikën, ndryshimet klimatike, ekohidrologjinë dhe restaurimin e lumenjve. Përmes publikimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, ai kontribuon në kërkimin shkencor për sigurinë ujore, qëndrueshmërinë mjedisore dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. 

Ky pozicionim përfaqëson një arritje individuale të rëndësishme dhe kontribuon në forcimin e profilit kërkimor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të UBT-së. 

Rreth databazës Stanford/Elsevier 

Databaza paraqet dy kategori të ndikimit shkencor: ndikimin gjatë një viti kalendarik (single-year) dhe ndikimin gjatë karrierës (career-long). Vlerësimi mbështetet në treguesin e përbërë të citimeve (c-score), i cili merr parasysh citimet, bashkautorësinë dhe pozicionin e autorit në publikime. 

Burimi: Ioannidis, J. P. A. (2026). August 2026 data-update for Updated Science-Wide Author Databases of Standardized Citation Indicators. Elsevier Data Repository, Version 9.

Linku: https://doi.org/10.17632/btchxktzyw.9