UBT nis vitin e ri akademik 2026/27 – Një kapitull i ri për mijëra studentë
02/10/2026UBT është gati të mirëpresë studentët në fillimin e vitit të ri akademik 2026/27, një vit që sjell mundësi të reja për zhvillim, dije dhe përgatitje profesionale.
Me këtë rast, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar të gjithë studentët për fillimin e vitit të ri akademik, me një urim të veçantë për studentët e rinj, për të cilët ky moment shënon fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në jetën e tyre.
“Uroj shumë suksese për të gjithë studentët tanë në vitin e ri akademik. Një urim të veçantë për studentët e rinj, të cilët nisin një kapitull të ri. Në këtë rrugëtim nuk do të jenë vetëm – UBT do t’u ofrojë mbështetje të fuqishme, mundësi dhe një mjedis ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Në UBT, fillimi i vitit akademik është edhe fillimi i një rrugëtimi të ri për mijëra të rinj nga Kosova dhe rajoni. Në një mjedis modern akademik, me laboratorë, teknologji, hapësira bashkëpunimi dhe mundësi ndërkombëtare, studentët inkurajohen të zhvillojnë jo vetëm njohuritë profesionale, por edhe aftësitë që u nevojiten për të ardhmen.
UBT, si institucion lider i arsimit të lartë në Kosovë, vazhdon të ndërtojë standarde të larta përmes rangimeve dhe çmimeve ndërkombëtare, bashkëpunimeve globale dhe akreditimeve e njohjeve ndërkombëtare, përfshirë British Accreditation Council (BAC).
Në kuadër të fillimit të vitit të ri akademik 2026/27, java e ardhshme, nga 5 deri më 9 tetor, do të jetë Javë Informuese për studentët, me qëllim orientimin dhe informimin e tyre për programet, hapësirat, shërbimet dhe mundësitë që ofron UBT. Ndërsa, procesi i rregullt mësimor do të nisë më 12 tetor 2026, kur studentët do t’i fillojnë ligjëratat dhe aktivitetet akademike sipas orarit përkatës.
Në vitin e tij të 25-vjetorit, UBT u uron të gjithë studentëve një vit të mbarë, të suksesshëm dhe plot arritje, duke i siguruar se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi ku UBT do të jetë pranë tyre në çdo hap.