Studentët e UBT-së pjesë e Akademisë Ndërkombëtare Verore në Stamboll

07/09/2026

Shtatë studentë nga UBT, Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor po marrin pjesë në një Akademi Ndërkombëtare Verore 10-ditore në Kartal, Stamboll, e cila ka bashkuar studentë të nivelit master në fushat e arkitekturës, dizajnit urban dhe planifikimit nga Politecnico di Torino, AURA Istanbul, Universiteti i Arteve të Bukura Mimar Sinan dhe UBT.

Akademia po zhvillohet në një prej zonave të Stambollit që aktualisht po përjeton një proces të rëndësishëm të transformimit urban. Përmes metodologjisë “The Great Game”, studentët patën mundësi të angazhohen drejtpërdrejt me sfida reale urbane, duke eksploruar çështje hapësinore, rregullative, ekonomike dhe të qeverisjes.

Studentët Eli Binxhija, Era Desku, Erdonis Duraku, Gramoz Gashi, Lendiana Fetaj, Milot Qerimi dhe Poema Doli po udhëhiqen nga profesorët Shqiprim Ahmeti dhe Lendi Osmani, ndërsa në total punëtoria ka mbledhur 21 studentë dhe 9 profesorë nga tri universitetet partnere.

Ky bashkëpunim ndërkombëtar mes Italisë, Turqisë dhe Kosovë u sjellë studentëve dhe stafit një përvojë të re  praktike në një kontekst real të transformimit urban, ndërsa përgjatë akademisë janë zhvilluar ligjërata tematike nga arkitektë të mirënjohur si Emre Arolat nga Turqia, Liu Jian nga Kina, Michele Bonino nga Italia etj.

Gjatë kësaj Akademie Verore, studentët dontë zhvillojnë projekte dhe skenarë urbanë të fokusuar në sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të Kartalit. Rezultatet e tyre do t’u prezantohen vendimmarrësve dhe aktorëve përkatës, duke krijuar mundësi që idetë e zhvilluara nga studentët të kontribuojnë në procesin e vazhdueshëm të transformimit urban të qytetit.

Pjesëmarrja e studentëve të UBT-së në këtë iniciativë ndërkombëtare përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbim akademik, bashkëpunim ndërkombëtar dhe përvojë praktike, duke i lidhur njohuritë universitare me sfidat reale të zhvillimit urban.

Përmes pjesëmarrjes në këtë akademi, UBT vazhdon të forcojë angazhimin e tij në ndërkombëtarizimin e arsimit, zhvillimin profesional të studentëve dhe bashkëpunimin me institucione prestigjioze ndërkombëtare