Rreth 100 mësimdhënës shqiptarë nga e gjithë bota trajnohen nga UBT dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në kuadër të Shkollës Verore për Mësuesit e Diasporës

09/07/2026

Rreth 100 mësimdhënës shqiptarë nga Gjermania, Greqia, Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të botës po marrin pjesë në Shkollën Verore për Mësuesit e Diasporës Shqiptare 2026, e organizuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në bashkëpunim me UBT.

Programi ka bërë bashkë mësues që çdo ditë kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë, duke u ofruar atyre trajnim nga ekspertët më të mirë të UBT-së dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Gjatë ditëve të para të shkollës verore, pjesëmarrësit kanë ndjekur sesione intensive mbi inteligjencën artificiale në arsim, platformat bashkëkohore të mësimdhënies, krijimin e përmbajtjeve digjitale, mësimin në distancë, përdorimin e mjeteve interaktive dhe zhvillimin e kompetencave pedagogjike për klasën moderne. Trajnimet janë zhvilluar nga profesorë dhe ekspertë të të dy universiteteve, duke kombinuar përvojën akademike me teknologjitë më të avancuara që po transformojnë arsimin.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se investimi në mësuesit e diasporës është investim në të ardhmen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

“Mësuesit e diasporës janë ambasadorët më të rëndësishëm të gjuhës dhe kulturës sonë. Përmes kësaj shkolle verore po ndërtojmë një komunitet profesional që lidh dijen, teknologjinë dhe identitetin kombëtar, duke u ofruar mësuesve kompetencat që u nevojiten për arsimin e së ardhmes.”

Rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy universiteteve dhe rëndësinë e këtij programi për komunitetin shqiptar në diasporë.

“Shkolla Verore për Mësuesit e Diasporës është një urë bashkëpunimi që bashkon mësues shqiptarë nga vende të ndryshme, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash, zhvillim profesional dhe forcim të rolit të tyre në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare te brezat e rinj.”

Shkolla Verore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me module të avancuara kushtuar dizajnimit të kurseve online, krijimit të materialeve didaktike digjitale, integrimit të realitetit virtual (VR) dhe të zgjeruar (AR) në mësimdhënie, si dhe zhvillimit të moduleve të plota mësimore për platformat digjitale.