Inteligjenca Artificiale në fokus të ditës së dytë të Akademisë Verore të Fakultetit Juridik

08/07/2026

Mbi rolin e inteligjencës artificiale (IA) në edukim u zhvillua dita e dytë e Akademisë Verore të Fakultetit Juridik. Prof. asoc.dr.  Egzone Osmanaj diskutoi mbi mënyrat se si inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë studentët në kërkimin shkencor, si dhe mbi mënyrën se si kjo teknologji mund të shfrytëzohet në mënyrë racionale, të saktë dhe të besueshme për këtë qëllim.

 

Po ashtu, u diskutua edhe mbi kuptimin dhe rëndësinë e Aktit të Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale (AI Act), si dhe mbi Rregulloren e UBT-së për standardet e punës kërkimore me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Dita e dytë u karakterizua nga një interesim i madh i pjesëmarrësve dhe u pasurua me analiza të rasteve konkrete, ushtrime praktike dhe diskutime interaktive.

Në ditën e tretë të Akademisë Verore, patëm kënaqësinë të mirëprisnim gazetarin me përvojë Shkëlzen Dakaj, Drejtor i kompanisë mediale Infokusi, me të cilin diskutuam mbi rolin e informacionit në epokën e inteligjencës artificiale.

Temat e trajtuara përfshinë gazetarinë profesionale dhe misionin e saj, ndikimin e algoritmeve, informimin dhe dezinformimin, mënyrën se si duhet të vlerësojmë besueshmërinë e informatave që dëgjojmë çdo ditë, rëndësinë e verifikimit të tyre, mbrojtjen nga lajmet e rreme, propaganda dhe spekulimet mediale, si dhe ndikimin e rrjeteve sociale, profileve mashtruese dhe mediave në përgjithësi në shoqërinë bashkëkohore.

Diskutimi u shoqërua me pyetje, përgjigje, komente dhe shembuj konkretë, duke krijuar një atmosferë shumë aktive, interaktive dhe mbresëlënëse.