Fakulteti Juridik i UBT-së hapi aktivitetet e Akademisë Verore 2026 me fokus Inteligjencën Artificiale në hulumtimin ligjor
06/07/2026Në UBT kanë nisur zyrtarisht aktivitetet e Akademisë Verore 2026 të Fakultetit Juridik, e cila këtë vit sjell në qendër të diskutimit një nga temat më aktuale të kohës, integrimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në hulumtimin ligjor, përfitimet, kufizimet dhe ndikimet etike të saj.
Akademia ka mbledhur studentë të Fakultetit Juridik dhe fakulteteve të tjera të UBT-së, studentë nga institucione të tjera të arsimit të lartë, profesorë, përfaqësues të industrisë, si dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët gjatë kësaj jave do të shkëmbejnë njohuri, përvoja dhe perspektiva mbi sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi i Inteligjencës Artificiale në sistemin juridik dhe në shoqëri.
Programi i Akademisë Verore është konceptuar për të trajtuar në mënyrë ndërdisiplinore ndikimin e IA-së në të drejtën dhe profesionet juridike. Gjatë sesioneve do të diskutohen çështje që lidhen me rregullimin ligjor të Inteligjencës Artificiale, ndikimin e saj në proceset e vendimmarrjes, përdorimin e IA-së në punë, arsim, media dhe rrjete sociale, si dhe sfidat etike e ligjore që lindin nga zhvillimi dhe përdorimi i teknologjive të avancuara.
Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe punëtorive interaktive, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të analizojnë praktikat më të mira ndërkombëtare, zhvillimet më të fundit në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe mënyrat se si këto zhvillime po transformojnë profesionin juridik dhe funksionimin e institucioneve publike e private.
Organizimi i Akademisë Verore të Fakultetit Juridik dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të ofruar një arsim bashkëkohor, të orientuar drejt inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike, duke krijuar hapësira për debat akademik dhe bashkëpunim ndërmjet studentëve, akademikëve dhe profesionistëve.
Akademia Verore 2026 do të vazhdojë përgjatë javës me ligjërata dhe panele diskutimi të udhëhequra nga profesorë, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për zhvillimin e njohurive dhe kompetencave në fushën e së drejtës dhe teknologjisë.

