U mbajt Konferenca Akademike “Arti dhe Dizajni ndërmjet Praktikës dhe Hulumtimit” në UBT
05/06/2026Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Artit dhe Dizajnit 2026” dhe shënimit të 25-vjetorit të UBT, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit organizoi me sukses Konferencën Akademike me temën “Arti dhe Dizajni ndërmjet Praktikës dhe Hulumtimit: Qasje Ndërdisiplinore në Kontekste Bashkëkohore”.
Konferenca mblodhi profesorë, artistë, hulumtues dhe studentë, të cilët diskutuan mbi rolin e artit dhe dizajnit në zhvillimet bashkëkohore, si dhe mbi rëndësinë e ndërthurjes së praktikës krijuese me hulumtimin akademik.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin prezantime të ndryshme që trajtuan tema nga neuroarkitektura dhe filozofia e dizajnit, deri te qëndrueshmëria në modë, arti bashkëkohor, teatri, muzika dhe inovacioni teknologjik në instrumentet muzikore.
Punimet u prezantuan nga Dea Luma, Labinot Kelmendi, Ariana Gjoni, Helidon Gjergji, Sislej Xhafa, Marigona Bekteshi, Korab Shaqiri dhe Liburn Jupolli, të cilët sollën perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë që ofrojnë praktikat artistike dhe kërkimi shkencor në kontekstin bashkëkohor.
Konferenca u përmbyll me një diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve, ku u shkëmbyen ide dhe përvoja mbi bashkëpunimin ndërdisiplinor, inovacionin dhe zhvillimin e mëtejmë të fushave të artit dhe dizajnit.
Ky aktivitet konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit në UBT për të krijuar hapësira të mirëfillta akademike dhe profesionale që promovojnë dialogun, kreativitetin dhe hulumtimin në shërbim të zhvillimit kulturor dhe artistik.



