Nga UBT drejt një prej qendrave më të avancuara të nutricionit klinik në Evropë

01/06/2026

Rrugëtimi akademik i Vlera Rashitit dëshmon se përkushtimi ndaj dijes dhe zhvillimit profesional krijon mundësi për përfshirje në institucione me reputacion ndërkombëtar. Pas përfundimit të studimeve Bachelor në Fakultetin e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, ajo po finalizon studimet e nivelit Master Shkencor në programin Food and Health në Universitetin e Padovës, Itali.

Gjatë kësaj periudhe, Vlera ka përfunduar me sukses edhe praktikën klinike në strukturat universitare dhe spitalore të lidhura me Universitetin e Padovës, duke u përfshirë në aktivitete profesionale dhe akademike që lidhen me nutricionin klinik, dietoterapinë dhe kujdesin multidisiplinar ndaj pacientëve.

Përvoja e fituar në një mjedis me traditë të gjatë kërkimore dhe klinike ka kontribuar në zgjerimin e kompetencave të saj profesionale dhe shkencore, duke e përgatitur për sfidat e praktikës moderne në fushën e nutricionit dhe shëndetit.

Sot, Vlera përfaqëson një shembull të suksesit të studentëve të UBT-së që vazhdojnë avancimin akademik në universitete prestigjioze evropiane, duke dëshmuar se formimi cilësor universitar është një bazë e fortë për zhvillim profesional dhe ndërkombëtar.