Studentët e Studimeve të Sigurisë në UBT zhvillojnë bashkëbisedim profesional me përfaqësues të KFOR-it

31/05/2026

Në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm për të ofruar arsim cilësor dhe përvoja praktike për studentët, programi i Studimeve të Sigurisë në UBT vazhdon të sjellë aktivitete që lidhin drejtpërdrejt akademinë me institucionet dhe organizatat më të rëndësishme të sigurisë në vend dhe në arenën ndërkombëtare. Një nga këto aktivitete u realizua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të misionit të KFOR-it, të cilët zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me studentët e programit, duke ndarë përvoja profesionale dhe njohuri mbi sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Aktiviteti, i organizuar me ftesë të Prodekanit të Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Arian Kadriu, dëshmoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre të sigurisë, duke krijuar mundësi të vlefshme për zhvillimin profesional dhe akademik të studentëve.

Gjatë takimit, pjesëtarët e KFOR-it prezantuan përvojat e tyre profesionale dhe diskutuan me studentët mbi fusha të ndryshme të sigurisë, përfshirë policinë ushtarake, sigurinë kibernetike, operacionet me dronë, shërbimet juridike dhe funksione të tjera që kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil. Studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje, të shkëmbejnë ide dhe të informohen mbi kërkesat e tregut të punës në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ky bashkëbisedim dëshmoi edhe një herë rëndësinë e programit të Sigurisë Kombëtare në UBT, i cili vazhdon të përgatisë profesionistë të rinj të aftë për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë, përmes një kombinimi të njohurive teorike, përvojave praktike dhe bashkëpunimit me partnerë strategjikë vendorë e ndërkombëtarë.