Jona Isufi: Nga UBT në një nga qendrat më prestigjioze të nutricionit klinik në Itali
30/05/2026Studimet në Fakultetin e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT shërbyen si themel i fortë për rrugëtimin akademik dhe profesional të Jona Isufit, e cila sot po vazhdon studimet master në programin Food and Health në Universitetin e Padovës në Itali.
Së fundmi, Jona ka përfunduar me sukses praktikën profesionale në Departamentin e Dietetikës dhe Ushqyerjes Klinike në Spitalin e Padovës, ku pati mundësinë të thellojë njohuritë e saj në fushën e ushqyerjes klinike dhe të përjetojë nga afër funksionimin e saj në praktikë.
Gjatë kësaj eksperience, ajo u njoh me mënyrën se si strategjitë ushqyese përshtaten sipas nevojave dhe gjendjeve të ndryshme shëndetësore të pacientëve, duke kuptuar rëndësinë e rolit të ushqyerjes në procesin e trajtimit dhe kujdesit shëndetësor. Përvoja i mundësoi gjithashtu të zhvillojë më tej aftësitë analitike dhe të kuptojë se sa vendimtare janë vendimet profesionale edhe në detajet më të vogla të kujdesit klinik.
Jona vlerëson mbështetjen dhe mentorimin e profesorëve të saj, veçanërisht të Prof. Luca Busetto, të cilët kontribuuan në pasurimin e kësaj përvoje akademike dhe profesionale.
Sot, rrugëtimi i saj përfaqëson një shembull frymëzues se si përkushtimi, puna e vazhdueshme dhe arsimi cilësor mund të hapin dyer drejt mundësive ndërkombëtare dhe zhvillimit profesional në fushat më të avancuara të shkencës dhe shëndetit.
Historia e Jonës është dëshmi e qartë se studentët e UBT-së po ndërtojnë karriera të suksesshme në universitete dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke kontribuar në avancimin e dijes dhe praktikave bashkëkohore në fushën e ushqimit, bioteknologjisë dhe shëndetit.