Studentët e UBT-së njihen me rrugëtimin e Japonisë nga tradita e samurajve deri te një prej shteteve më të avancuara në botë
26/05/2026Në kuadër të aktiviteteve në Ditët e Artit dhe Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT organizoi një aktivitet të veçantë kulturor dhe akademik, i realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe Asociacionin e Miqësisë Kosovaro-Japoneze.
Aktiviteti, i mbajtur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, bëri bashkë studentë, profesorë, artistë dhe mysafirë të shumtë të interesuar për historinë, kulturën dhe zhvillimin e Japonisë.
Ngjarja u hap me fjalën përshëndetëse të Dekanes së Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Prof. Dr. Ariana Gjoni, e cila vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve ndërkulturore në pasurimin e përvojës akademike të studentëve dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar përmes artit, dizajnit dhe edukimit.
Më pas, Prof. Afërdita Statovci theksoi rëndësinë e njohjes së kulturave të ndryshme botërore si pjesë e formimit profesional dhe artistik të studentëve, duke nënvizuar se arti dhe dizajni janë gjuhë universale që lidhin popujt dhe traditat.
Në emër të Asociacionit të Miqësisë Kosovaro-Japoneze, Luljeta Arifi foli për marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke vlerësuar rolin e institucioneve arsimore në promovimin e dialogut kulturor dhe shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve.
Pika qendrore e aktivitetit ishte ligjërata e mbajtur nga Hiroyasu Tanigaki, përfaqësues i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, me temën “Nga Samurai deri te shteti modern”. Përmes një prezantimi të pasur me informacione historike dhe kulturore, ai prezantoi transformimin e Japonisë ndër shekuj, duke filluar nga periudha e samurajve e deri te zhvillimi i saj si një nga shtetet më të avancuara teknologjikisht dhe ekonomikisht në botë.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me vlerat tradicionale japoneze, filozofinë e disiplinës, inovacionin, zhvillimin urban dhe ndikimin global të kulturës japoneze në art, dizajn, teknologji dhe industri kreative. Ligjërata u përcoll me interes të madh nga studentët, të cilët zhvilluan diskutime dhe shkëmbyen pyetje mbi aspektet kulturore dhe zhvillimore të Japonisë.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UBT-së në organizimin e ngjarjeve që ndërthurin dijen, kulturën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar mundësi të reja për studentët që të mësojnë nga përvoja dhe modelet më të avancuara globale.







