UBT nderon arkitektin austriak Heinz Neumann me mirënjohje për kontributin në arkitekturën bashkëkohore
22/05/2026UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik arkitektin e njohur austriak Prof. Dipl.-Ing. Architect, Heinz Neumann, një nga emrat e njohur ndërkombëtarë në fushën e arkitekturës, urbanizmit dhe dizajnit bashkëkohor, i cili mbajti ligjëratën tematike “Competitions, Building Constructions and Design” për studentët, stafin akademik dhe profesionistët e fushës.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ndau një mirënjohje për Heinz Neumann, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij profesional në arkitekturë, dizajn dhe zhvillim urban, si dhe për ndikimin e tij në zhvillimin e arkitekturës bashkëkohore dhe edukimin e gjeneratave të reja.
Në motivacionin e mirënjohjes u theksua ekspertiza profesionale, lidershipi vizionar dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Neumann në zhvillimin e projekteve moderne arkitektonike dhe urbane në nivel ndërkombëtar.
Rektori Hajrizi vlerësoi praninë e arkitektit austriak në UBT, duke theksuar se figura të tilla përfaqësojnë një inspirim të rëndësishëm për studentët dhe komunitetin akademik.
“Është një moment i veçantë për UBT-në që të kemi mes nesh një personalitet si Heinz Neumann, me një karrierë të jashtëzakonshme në arkitekturën dhe dizajnin bashkëkohor. Kontributi i tij në projekte të shumta ndërkombëtare dhe ndikimi në zhvillimin urban modern janë një vlerë e madhe për studentët tanë dhe për gjithë komunitetin profesional”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Gjatë ligjëratës, Heinz Neumann ndau me pjesëmarrësit përvoja nga projektet e tij ndërkombëtare, duke trajtuar tema që lidhen me konkurset arkitektonike, ndërtimin modern, dizajnin inovativ dhe sfidat bashkëkohore të urbanizmit.
Ai ndau gjithashtu përvoja nga angazhimet e tij në projektet e banimit social dhe dizajnit të interierit, duke diskutuar me studentët mbi rëndësinë e arkitekturës funksionale dhe ndikimin e dizajnit në jetën urbane bashkëkohore.
Ky aktivitet krijoi një hapësirë të rëndësishme dialogu profesional dhe akademik ndërmjet studentëve, arkitektëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, duke fuqizuar më tej dimensionin ndërkombëtar dhe inovativ të UBT-së.






