UBT uron 9 Majin – Ditën e Evropës

09/05/2026

Në këtë 9 Maj – Ditën e Evropës, UBT i bashkohet festimit të vlerave që ndërtojnë një të ardhme më të mirë për shoqëritë tona: paqes, bashkëpunimit, solidaritetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo ditë përfaqëson vizionin për një Evropë të bashkuar, ku arsimi, inovacioni dhe mundësitë e barabarta krijojnë ura lidhëse mes njerëzve dhe vendeve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës së Evropës, duke theksuar se roli i institucioneve akademike është kyç në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe në përgatitjen e gjeneratave të reja për sfidat globale.

“Dita e Evropës është një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e bashkëpunimit, dialogut dhe unitetit ndërmjet vendeve dhe institucioneve. Në UBT, ne besojmë se arsimi është ura më e fortë që lidh kulturat, idetë dhe të ardhmen e përbashkët evropiane. Përmes partneriteteve tona ndërkombëtare dhe fokusit në cilësi, inovacion dhe kërkim shkencor, vazhdojmë të krijojmë mundësi të reja për studentët dhe akademikët tanë”, ka theksuar Rektori Hajrizi.

Gjatë këtyre 25 viteve të zhvillimit dhe suksesit, UBT ka ndërtuar ura bashkëpunimi me qindra universitete dhe institucione nga vendet evropiane, duke u shndërruar në një ambasador të vërtetë të vlerave evropiane në Kosovë dhe më gjerë. Përmes angazhimit të vazhdueshëm institucional dhe akademik, UBT ka përfaqësuar Kosovën në shumë mekanizma evropianë të arsimit, inovacionit dhe zhvillimit.

Po ashtu, UBT dhe Rektori Edmond Hajrizi kanë punuar vazhdimisht që Kosova të anëtarësohet dhe të përfaqësohet në dhjetëra organizata profesionale, akademike dhe zhvillimore evropiane, duke promovuar vlerat, potencialin dhe perspektivën ndërkombëtare të vendit tonë. Duke sjellë standardet më të avancuara evropiane të arsimit në Kosovë, UBT ka dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm për të ndërlidhur studentët me botën akademike dhe profesionale ndërkombëtare.

Përmes qindra partneriteteve me universitete dhe institucione evropiane, UBT u ofron studentëve mundësi për shkëmbime akademike, diploma të dyfishta, projekte kërkimore dhe përvoja ndërkombëtare që i përgatisin për tregun global të punës. Me vizion të qartë drejt së ardhmes, UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Evropës, duke fuqizuar të rinjtë përmes arsimit cilësor, teknologjisë dhe inovacionit.