Profesorët e UBT-së në Letoni për shkëmbim akademik mbi AI dhe mësimdhënie moderne

29/04/2026

Në kuadër të ndërkombëtarizimit të arsimit dhe përfshirjes aktive në iniciativat më të avancuara evropiane, UBT po merr pjesë në projektin prestigjioz Erasmus+ “Teaching Tomorrow: Innovation Challenge-Based Learning & AI”, i cili po zhvillohet në Vidzeme University of Applied Sciences në Letoni.

Në këtë shkëmbim akademik me rëndësi të veçantë për zhvillimin e arsimit të lartë, UBT përfaqësohet nga Prof. Alban Fejza, Prof. Blerton Abazi dhe Prof. Agim Zuzaku, të cilët po kontribuojnë dhe njëkohësisht po përfitojnë nga praktikat më të avancuara në fushën e mësimdhënies inovative dhe integrimit të Inteligjencës Artificiale në procesin edukativ.

Projekti fokusohet në promovimin e metodave bashkëkohore të të nxënit, me theks të veçantë në modelin “challenge-based learning”, një qasje që i vendos studentët përballë sfidave reale dhe i inkurajon ata të zhvillojnë zgjidhje kreative përmes bashkëpunimit dhe përdorimit të teknologjive të avancuara. Në këtë kontekst, Inteligjenca Artificiale trajtohet si një mjet transformues që jo vetëm e lehtëson procesin e mësimdhënies, por edhe e personalizon përvojën e të nxënit për studentët.

Gjatë qëndrimit në Letoni, profesorët e UBT-së po marrin pjesë në punëtori interaktive, ligjërata tematike dhe sesione bashkëpunimi me akademikë dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke shkëmbyer përvoja dhe modele të suksesshme të implementimit të teknologjive të reja në arsim.