Rektori Hajrizi viziton kompaninë Osmanaj GmbH, model suksesi i arsimit dual në diasporë
23/04/2026Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, gjatë vizitës së tij në Gjermani, realizoi një vizitë zyrtare në kompaninë Osmanaj GmbH, një nga bizneset më të suksesshme të diasporës shqiptare në Heilbronn.
Kjo kompani, përveç arritjeve në sektorin e biznesit, është ndër të parat iniciativa kosovaro-gjermane të licencuara nga shteti gjerman për ofrimin e arsimit të lartë dual.
Arsimi i lartë dual, një model shumë i zhvilluar në Gjermani, kombinon studimet akademike me përvojën praktike në kompani dhe po zgjerohet gjithnjë e më shumë edhe në vende të tjera. Rektori Hajrizi, në cilësinë e anëtarit të bordit në European Alliance for Dual Higher Education, është aktivisht i angazhuar në zhvillimin dhe promovimin e këtij modeli në nivel ndërkombëtar.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga drejtuesi i kompanisë, Afrim Osmanaj, i cili prezantoi aktivitetin, rezultatet dhe kontributin e kompanisë në zhvillimin e arsimit dual. Të pranishmit patën mundësinë të njihen nga afër me stafin profesional, infrastrukturën moderne dhe studentët që janë pjesë e këtij programi.
Në këtë takim mori pjesë edhe Azem Rexha, drejtor ekzekutiv i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, si dhe përfaqësues të stafit akademik të UBT-së.
Diskutimet u fokusuan në zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Osmanaj GmbH, e cila është anëtare e Unionit, me theks të veçantë në zhvillimin e programeve të përbashkëta në arsimin dual, si dhe në krijimin e mundësive të reja për përfshirjen e diasporës shqiptare në investime strategjike në arsim dhe zhvillim ekonomik.



Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit privat, duke kontribuar në përgatitjen e kuadrove profesionale sipas kërkesave të tregut ndërkombëtar.