Dita Botërore e Kreativitetit dhe Inovacionit e gjen UBT-në lider në inovacion në vend, rajon dhe më gjerë

21/04/2026

Në shënimin e Ditës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, UBT shënon njëkohësisht 25-vjetorin e themelimit, duke konfirmuar rolin e tij si një ndër institucionet më të avancuara në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe teknologjisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Përgjatë një çerek shekulli, UBT ka ndërtuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit akademik dhe inovativ, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për promovimin e ideve të reja, teknologjive të avancuara dhe ndërmarrësisë. Përmes programeve moderne të studimit dhe projekteve të shumta ndërkombëtare, institucioni ka kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së tregut të punës.

UBT është renditur vazhdimisht në rankime të rëndësishme ndërkombëtare për cilësinë në arsim, inovacion dhe ndikim shkencor, duke forcuar pozicionin e tij si një institucion me reputacion në nivel global.

Një ndër projektet më të rëndësishme të këtij rrugëtimi mbetet UBT Smart City, që është qendra më e madhe e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në vend. Ky ekosistem i integruar po shërben si një platformë e avancuar për edukim, kërkim shkencor, zhvillim teknologjik dhe ndërmarrësi, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e rinj.

Në funksion të avancimit të mëtejmë të inovacionit, UBT ka ndërtuar dhe funksionalizuar mbi 30 qendra të inovacionit dhe laboratorë të specializuar, si dhe mbi 10 kampuse dhe qendra në Kosovë dhe jashtë saj, duke zgjeruar ndjeshëm praninë dhe ndikimin institucional në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

UBT ka investuar në infrastrukturë moderne teknologjike, përfshirë laboratorë për rrjete të avancuara dhe zhvillimin e teknologjive të reja si 5G dhe sistemet pasuese, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë të industrisë.

Një dimension i rëndësishëm i transformimit të UBT-së lidhet edhe me integrimin e inteligjencës artificiale në proceset arsimore dhe kërkimore, duke ndërtuar një ekosistem të avancuar që mbështet edukimin, trajnimin, certifikimin dhe zhvillimin profesional në përputhje me kërkesat e kohës.

Gjithashtu, UBT ka zgjeruar praninë e tij ndërkombëtare përmes mbi 500 partneriteteve globale dhe funksionalizimit të qendrave në vende të ndryshme, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, duke ofruar mundësi të reja për shkëmbime akademike dhe zhvillim profesional.

Një arritje e veçantë në këtë rrugëtim është edhe akreditimi nga British Accreditation Council, duke e bërë UBT institucionin e parë dhe të vetëm në Kosovë dhe rajon që fiton këtë njohje prestigjioze ndërkombëtare. Ky akreditim dëshmon për përmbushjen e standardeve të larta britanike dhe evropiane në arsim dhe menaxhim institucional.

Me këtë rast, UBT rithekson përkushtimin për të vazhduar zhvillimin e një sistemi arsimor të bazuar në inovacion dhe kreativitet, duke synuar ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe konkurruese në nivel global.