Studentët e Inxhinierisë së Energjisë në UBT thellojnë njohuritë praktike përmes vizitës studimore në KOSTT
09/04/2026Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ndërlidhur teorinë me praktikën dhe për të përgatitur profesionistë të gatshëm për tregun e punës, studentët e vitit të dytë të programit Inxhinieri e Energjisë në UBT realizuan një vizitë studimore në ambientet e KOSTT, operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Kjo vizitë, e organizuar nën udhëheqjen e profesorëve Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kishte për qëllim që studentët të njihen nga afër me funksionimin real të sistemit elektroenergjetik, mekanizmat e tregut të energjisë dhe sfidat bashkëkohore të këtij sektori strategjik.
Gjatë qëndrimit në KOSTT, studentët u pritën nga Dispeçeri Nacional, Muhamet Purellku, si dhe nga Zyrtarja për Zhvillim dhe Trajnime të Stafit, Aida Mirdita, të cilët ofruan një prezantim të detajuar dhe profesional mbi organizimin dhe funksionimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në vend.
Në fokus të prezantimit ishin proceset e monitorimit dhe menaxhimit të rrjetit elektroenergjetik, koordinimi ndërmjet sektorëve teknikë dhe operativë, si dhe struktura dhe zhvillimi i tregut energjetik në Kosovë. Studentët patën mundësinë të kuptojnë nga afër rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve kyçe në këtë sektor, duke përfituar një pasqyrë reale mbi sfidat dhe zhvillimet e industrisë së energjisë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rëndësisë së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik, investimeve strategjike në rrjetin e transmetimit dhe planeve afatgjata që lidhen me sigurinë energjetike dhe integrimin në tregjet rajonale dhe evropiane.
Kjo vizitë dëshmon qartë qasjen moderne të UBT-së në arsim, ku përveç përgatitjes teorike, studentëve u ofrohen mundësi konkrete për përvojë praktike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me industrinë. Programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT synon të formojë kuadro të specializuara, të afta për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të sektorit energjetik, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.
Përmes bashkëpunimeve të tilla me institucione relevante si KOSTT, studentët e UBT-së fitojnë një avantazh të rëndësishëm profesional, duke lidhur njohuritë akademike me realitetin e punës dhe duke u përgatitur për sfidat e së ardhmes në një nga sektorët më vitalë të zhvillimit ekonomik.
Në përmbyllje të vizitës, studentët dhe profesorët shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe për ndarjen e përvojave profesionale nga stafi i KOSTT, duke e vlerësuar këtë vizitë si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.
