Trajnimi i referëve në xhudo forcon kapacitetet në sport, me kontributin e Driton Kukës

02/04/2026

Në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë është mbajtur punëtoria për ngritjen e kapaciteteve të referëve, e udhëhequr nga Kryemjeshtri Driton Kuka, një nga figurat më të suksesshme të sportit kosovar dhe njëkohësisht pjesë e stafit akademik në UBT.

Në këtë trajnim morën pjesë trajnerë dhe referë nga të gjitha klubet e xhudos në Kosovë, të cilët u njohën me rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi për ciklin e garave të vitit 2026, duke forcuar kështu profesionalizmin dhe standardet e gjykimit në këtë sport.

Në një nga ditët e kësaj punëtorie, Fakulteti i Shkencave të Sportit në UBT ka qenë i pranishëm me ftesë të Kryemjeshtrit Driton Kuka, ku pjesëmarrës kanë qenë Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Agron Thaçi, së bashku me stafin akademik. Pjesëmarrja në këtë aktivitet ka përfaqësuar një mundësi të rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe komunitetit sportiv, duke reflektuar angazhimin e UBT-së për të qenë pjesë aktive në zhvillimin e sportit dhe ngritjen e standardeve profesionale në xhudo në Kosovë.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me fokus të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve dhe avancimin e vazhdueshëm të komunitetit sportiv në vend.

Përtej angazhimit të tij në arenën sportive, prania e Driton Kukës si pjesë e stafit akademik në UBT përbën një vlerë të shtuar të jashtëzakonshme për studentët, veçanërisht për ata të Fakultetit të Shkencave të Sportit. Përvoja e tij shumëvjeçare në ndërtimin e kampionëve olimpikë dhe në menaxhimin e performancës sportive në nivelet më të larta ndërkombëtare u jep studentëve një mundësi unike për të mësuar drejtpërdrejt nga praktika reale.

Ky ndërthurje mes teorisë dhe praktikës krijon një avantazh të rëndësishëm për studentët, të cilët përfitojnë njohuri të aplikueshme, mentorim profesional dhe inspirim nga një trajner që ka ndërtuar histori suksesi në sportin ndërkombëtar.

Fakulteti i Shkencave të Sportit në UBT shquhet për qasjen e tij moderne dhe gjithëpërfshirëse ndaj edukimit, duke kombinuar programet akademike me përvojat praktike dhe bashkëpunimet me profesionistë të nivelit të lartë. Përmes metodave bashkëkohore të mësimdhënies, aktiviteteve praktike dhe lidhjeve të forta me industrinë sportive, ky fakultet përgatit studentët për sfidat reale të tregut të punës në fushën e sportit dhe performancës fizike.

Angazhimi i figurave si Driton Kuka në procesin akademik dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ofruar një edukim cilësor dhe të lidhur ngushtë me praktikën, duke krijuar gjenerata të reja profesionistësh që synojnë ekselencën në sport dhe më gjerë.