Rektori Edmond Hajrizi dekorohet me Medaljen Presidenciale

30/03/2026

Në ceremoninë solemne të ndarjes së dekoratave, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Themelues dhe Rektor i UBT-së, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në inovacion, kërkim dhe zhvillim.

Çmimi për Inovacion, Kërkim dhe Zhvillim u jepet personave për kontribut dhe rezultate inovative, kërkimore dhe zhvillimore në fusha të caktuara.

Në fjalën e saj, Presidentja Vjosa Osmani theksoi se individët që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës përbëjnë shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit.

“Atdheu nuk është vetëm vendi ku lindim, por një thirrje që na ndjek gjatë gjithë jetës. Republika e Kosovës është rrjedhë e përpjekjeve të brezave për ta mbajtur gjallë dhe për ta bërë atë më të fortë”, u shpreh ajo.

Rektori Hajrizi, ndër vite, ka kontribuar në ndërtimin e ekosistemit të inovacionit, ndërmarrësisë, edukimit dhe shkencës në Kosovë, duke e vendosur Kosovën në nivele të larta në Evropë dhe në botë.