Workshopi ndërkombëtar i UBT dhe TU Wien nxjerr në pah kreativitetin dhe profesionalizmin e studentëve

30/03/2026

Në kuadër të një workshopi ndërkombëtar të organizuar nga UBT në bashkëpunim me TU Wien, studentët patën mundësinë të prezantojnë punimet e tyre, duke reflektuar përkushtimin dhe angazhimin e treguar përgjatë gjithë aktivitetit disa ditor. Ky workshop shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, zhvillimin e aftësive profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën akademike.

Punimet e prezantuara nga studentët u dalluan për qasjen e tyre kreative dhe profesionale ndaj temave të trajtuara, duke përfshirë analiza të mirëfillta, zgjidhje inovative dhe perspektiva bashkëkohore. Pjesëmarrësit demonstruan aftësi të larta në kërkim, prezantim dhe argumentim, duke dëshmuar nivelin e tyre të përgatitjes akademike.

Prezantimet u zhvilluan në ambientet të kampusit të UBT-së, ku i pranishëm ishte edhe rektori Prof. Dr Edmond Hajrizi. Gjatë fjalës së tij, ai prezantoi ekosistemin unik të UBT-së, duke theksuar rëndësinë e lidhjes ndërmjet arsimit, teknologjisë dhe tregut të punës. Ai gjithashtu përgëzoi studentët për përkushtimin dhe cilësinë e punimeve të tyre, duke i inkurajuar të vazhdojnë me angazhimin e tyre në projekte të ngjashme ndërkombëtare.

Në përmbyllje të workshopit, studentët u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, duke shënuar një moment të rëndësishëm vlerësimi për kontributin dhe përfshirjen e tyre aktive. Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve ndërkombëtare u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt avancimit të arsimit dhe krijimit të mundësive të reja për studentët në arenën globale.