Stafi i UBT-së në mobilitet akademik në Universitatea Transilvania din Brașov, Rumani
27/03/2026Një delegacion i stafit akademik dhe administrativ të UBT-së qëndroi në një mobilitet akademik në Universitatea Transilvania din Brașov, në Brașov, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe programit Erasmus+.

Delegacioni i UBT-së në këtë vizitë u përbë nga: dekania e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Prof. Dr. Ariana Gjoni; profesori i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, Musa Sabedini; ligjëruesi nga Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Bard Bajçinovci; zyrtarja e lartë në Zyrën e Sekretarit, Ismije Pllana; si dhe asistenti dhe zyrtari për marrëdhënie me publikun, Driton Hyseni.
Gjatë qëndrimit, delegacioni është përfshirë në një agjendë intensive akademike dhe profesionale, e cila ka nisur me takime zyrtare me përfaqësues të universitetit pritës. Në këtë kuadër, ata janë pritur nga koordinatorja për mobilitete hyrëse, Corina Tripon, e cila prezantoi strukturën e aktiviteteve akademike dhe organizimin e procesit mësimor.
Aktivitetet kanë vijuar me vizita në kampusin universitar, ku delegacioni është njohur nga afër me infrastrukturën akademike, përfshirë laboratorët praktikë dhe hapësirat që shërbejnë për përgatitjen profesionale të studentëve.
Në kuadër të këtij mobiliteti janë mbajtur edhe ligjërata tematike para studentëve. Prof. Bard Bajçinovci trajtoi temën “An innovative method of technology: Integrating Vertical Farms into Buildings”, duke prezantuar qasje inovative në integrimin e teknologjive të qëndrueshme në arkitekturë.
Ndërkaq, dekania e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Prof. Dr. Ariana Gjoni, zhvilloi një seri ligjëratash rreth temës: “Design Thinking for Business Innovation: Integrating Art, Aesthetics, and Human-Centred Design in Contemporary Business” duke u fokusuar në komunikimin dhe dizajnin e produktit, si dhe në rolin e dizajnit si një mjet strategjik në biznes dhe në industrinë kreative.
Gjatë këtij mobiliteti, zyrtarja e lartë në Zyrën e Sekretarit, Ismije Pllana, ishte e angazhuar në monitorimin dhe mbështetjen e aktiviteteve të stafit akademik, si dhe në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me koordinimin administrativ dhe avancimin akademik të studentëve.
Po ashtu, gjatë këtyre aktiviteteve është prezantuar modeli i mediave universitare të UBT-së nga profesori Musa Sabedini dhe Driton Hyseni, duke ofruar një pasqyrë të detajuar mbi funksionimin dhe menaxhimin e platformave mediale të universitetit. Në këtë prezantim u theksua roli i mediave digjitale në promovimin institucional, komunikimin me publikun dhe ndërtimin e brendit universitar. Një vëmendje e veçantë iu kushtua integrimit të praktikës profesionale në procesin mësimor në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT, ku studentët përfshihen drejtpërdrejt në prodhimin e përmbajtjeve mediale, duke fituar përvojë praktike dhe duke zhvilluar aftësi të nevojshme për tregun e punës.
Vizita ka përfshirë edhe takime në nivel institucional me drejtues të departamenteve përkatëse, sikurse profesorët dhe stafin: Radu Muntean, Carmen Elena Maftei, Cristina Nicolau, Ecaterina Coman, Ana-Maria Bolborici, Florin Nechita, ku është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen, shkëmbimin e stafit dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike.
Ky mobilitet konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të UBT-së dhe forcimit të lidhjeve akademike me institucione evropiane, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbim të dijes dhe përvojave në fushën e medias dhe komunikimit.







