Studentët e UBT-së pjesë e hapjes së një hapësire të re artistike në Marec

26/03/2026

Studentët e Fakultetit Art & Media Digjitale në UBT u bënë pjesë aktive e një transformimi të veçantë artistik dhe kulturor, ku një hapësirë e braktisur u shndërrua në një qendër të re të krijimtarisë dhe inovacionit.

Ish-shkolla “Ramiz Sadiku” në Marec tashmë është rilindur si një ambient i dedikuar për artin bashkëkohor, bashkëpunimin ndërdisiplinar dhe angazhimin komunitar, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim kreativ dhe profesional për të rinjtë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë ministren e Kulturës Saranda Bogujevci, kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Luksemburgut Eric Dietz, përfaqësuesin e përhershëm të UNDP në Kosovë Nuno Queirós, si dhe artistin me famë ndërkombëtare Sislej Xhafa.

Hapësira e re do të funksionojë si platformë krijuese për projektin artistik të Sislej Xhafës, “Lifti Horizontal drejt Kozmosit”, i cili synon të zhvillojë ndërhyrje artistike, rezidenca dhe kërkime eksperimentale, duke e kthyer këtë qendër në një pikë referimi për artin bashkëkohor.

Një ndër momentet më të veçanta të kësaj ngjarjeje ishte prezantimi i performancës artistike “Asgjë për të parë. Gjithçka për të zbuluar”, e realizuar nga Sislej Xhafa në bashkëpunim të ngushtë me studentët e programit Art & Media Digjitale (AMD/UBT), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha. Kjo performancë ofroi një përvojë unike artistike, ku kuptimi ndërtohet përmes eksplorimit dhe përjetimit.

Përmes kësaj përfshirjeje, studentët e UBT-së dëshmuan rolin e tyre aktiv në skenën artistike bashkëkohore, duke kontribuar me ide, kreativitet dhe qasje inovative në projekte me ndikim real në komunitet.

Ky transformim është pjesë e projektit “Industritë Kreative”, i financuar nga Dukati i Madh i Luxembourg dhe i zbatuar nga UNDP Kosovë në partneritet me Ministrinë e Kulturës, duke dëshmuar fuqinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin e sektorit kreativ.