Studentët e Arkitekturës dhe Dizajnit përmbyllin Eurotripin studimor me vizitë akademike në Vjenë
11/03/2026Pas një vizite maratonike studimore dhe kulturore në disa nga qytetet më të rëndësishme të Evropës, Eurotripi studimor i studentëve të Arkitekturës dhe Dizajnit u përmbyll me një vizitë akademike dhe profesionale në qytetin e Vjenës.

Në Vjenë, aktiviteti nisi me vizitën në University of Vienna, ku studentët u mirëpritën nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Lulzim Bimbashi, si dhe nga profesori Skënder Kosumi. Gjatë takimit, ata mbajtën një ligjëratë motivuese për studentët, duke ndarë përvoja dhe këshilla të vlefshme për zhvillimin akademik dhe profesional në fushën e arkitekturës.
Në kuadër të kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër edhe me katedrën e arkitekturës dhe studion e maketarisë së universitetit, ku realizohen maketa për projekte të ndryshme arkitektonike dhe zhvillohen procese të rëndësishme kreative të projektimit.
Vizita vazhdoi më tej në kampusin modern të Vienna University of Economics and Business, ku studentët analizuan nga afër kompleksin universitar dhe objektet e projektuara nga arkitektë të njohur ndërkombëtarë, si Zaha Hadid dhe Peter Cook. Këto ndërtesa përfaqësojnë një nga shembujt më të spikatur të arkitekturës bashkëkohore universitare në Evropë dhe ofrojnë një laborator të gjallë për studimin e konceptit të arkitekturës moderne.
Në agjendën e kësaj vizite u përfshinë gjithashtu edhe disa nga institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetit, përfshirë kompleksin muzeor MuseumsQuartier dhe Museum of Applied Arts Vienna, ku studentët patën mundësinë të eksplorojnë ndërthurjen e arkitekturës, dizajnit dhe artit në një nga qendrat kulturore më të njohura të Evropës.
Kjo përvojë rezultoi shumë e frytshme për studentët, duke kontribuar në zgjerimin e horizontit të tyre akademik dhe profesional, si dhe në zhvillimin e kulturës së tyre vizuale dhe arkitektonike. Kontakti i drejtpërdrejtë me vepra të rëndësishme arkitektonike dhe me institucione prestigjioze të arsimit ndërkombëtar përbën një përvojë të çmuar që reflektohet drejtpërdrejt në formimin dhe projektet e tyre të ardhshme.
Eurotripi studimor dëshmoi edhe një herë rëndësinë e përvojave të tilla në terren, duke lidhur teorinë akademike me realitetin arkitektonik dhe urban të qyteteve evropiane, si dhe duke forcuar traditën e këtyre vizitave studimore, të cilat synohet të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.
