Në UBT u mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi
05/03/2026Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, duke bërë bashkë familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve për të kujtuar kontributin e tij të çmuar akademik dhe profesional.
Ceremonia u hap me fjalën e Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, i cili theksoi se profesor Naim Krasniqi do të kujtohet si një akademik i përkushtuar dhe një njeri me integritet të lartë, i cili kontribuoi në formimin e shumë gjeneratave të studentëve dhe në zhvillimin e fushës së bujqësisë në vend.

“Më lejoni që në emër të UBT-së t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e profesorit, kolegut, mikut dhe anëtarit të familjes tonë, Naim Krasniqit. Personalisht ka qenë një befasi, ishte diçka e papritur sepse vërtet me Naimin kemi pasur shumë punë për të bërë; ishte vetëm fillimi i një angazhimi që kishim nisur bashkë”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi nënvizoi gjithashtu se profesori Krasniqi ishte një shtyllë në rritjen e institucionit. “Naimi ka qenë pjesë e ndërtimit institucional dhe pjesë e historisë së UBT-së, me fokus të veçantë te Fakulteti i Ushqimit dhe ai i Agrokulturës. Arsyeja pse e integruam në strukturën tonë ishte pikerisht kompetenca e tij e lartë profesionale”, tha ai.
Ndërsa, Dekani i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, Fidan Feka u shpreh se profesori i ndjerë ishte “agronom që i dha shpirt bujqësisë”.
“I rritur në një familje me traditë intelektuale dhe atdhedashëse, ai arriti të bëhej një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës në terren”, tha ai.
Eksperienca e Naim Krasniqit ishte e gjerë dhe ndërkombëtare. Pasi përfundoi studimet universitare në vitin 2005, ai u specializua në Institutin Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë gjatë viteve 2010-2012.
Nga viti 2018, ai u bë pjesë e pandarë e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Përveç auditoreve, profesori la gjurmë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit përmes bashkëpunimit me organizata si USAID, ku shërbeu në programe për mundësi të reja për bujqit, si dhe në Shoqatën Nacionale të Mjedrës si koordinator për trajnime.
“Humbja e tij lë një boshtëllëk të madh në komunitetin akademik dhe shoqëror, por gjithashtu na kujton trashëgiminë e pavdekshme që ka lënë pas”, tha mes tjerash gjatë përkujtimit dekani Feka.
Në anën tjetër, profesori i Fakultetit të Bujqësisë në UP, Imer Rusinovci, dajë i të ndjerit, e pati të vështirë të mbante fjalimin mes dhimbjes së madhe, duke kujtuar natyrën e tij fisnike: “Sot fjala është e rëndë, ka ditë kur fjala mezi del nga goja sepse dhemb shpirti. Naimi ishte një specialist i vërtetë, bashkëshort dhe babë i vërtetë; ishte dritë për familjen dhe udhërrëfyes për studentët. Naimi u rrit pa babanë e tij Ibrahimin, i cili ra dëshmor i kombit. Nipi im më i mirë vdiq në moshën vetëm 40 vjeç e gjysmë, në kulmin e jetës”, tha dr. Rusinovci.
Ndarja nga jeta e profesor Naim Krasniqit konsiderohet një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë sektorin e bujqësisë në Kosovë, të cilit ai i shërbeu me devotshmëri deri në momentet e fundit.
Në emër të familjes foli Rina Krasniqi, si dhe djali i të ndjerit, Nektar Krasniqi.







