UBT shënon 25 vite si institucioni me ndikimin më të madh ekonomik në arsimin jopublik
20/02/2026Në jubileun e 25-vjetorit të themelimit, UBT po konfirmon edhe një herë pozicionin e tij si institucioni me numrin më të madh të të punësuarve në sektorin privat të arsimit të lartë në Kosovë, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Për një çerek shekulli, UBT ka ndërtuar jo vetëm një institucion arsimor modern, por një ekosistem të fuqishëm zhvillimi që gjeneron vende pune, inovacion dhe stabilitet ekonomik. Nga një fillim modest me pak akademik, sot UBT përfshin qindra profesorë, doktorë shkencash, ekspertë dhe profesionistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë.
Rritja e vazhdueshme e stafit gjatë këtyre viteve reflekton vizion të qartë strategjik dhe investim të qëndrueshëm në kapitalin njerëzor. Ky zgjerim nuk përfaqëson vetëm sukses institucional, por një kontribut konkret në uljen e papunësisë dhe fuqizimin e tregut të punës në Kosovë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se arritja e këtij jubileu përkon me një moment të rëndësishëm zhvillimor për institucionin.
“25 vjet më parë nisëm me një vizion për të ndërtuar një institucion që do të ndikonte realisht në zhvillimin e vendit. Sot, kur UBT është punëdhënësi më i madh në arsimin e lartë privat, mund të themi me bindje se kemi krijuar një model të qëndrueshëm që gjeneron dije, punësim dhe zhvillim ekonomik”, theksoi rektori Hajrizi.
Përgjatë këtij rrugëtimi, UBT ka investuar vazhdimisht në zgjerimin e kapaciteteve akademike, teknologjike dhe kërkimore, duke krijuar një mjedis profesional ku promovohen barazia gjinore, meritokracia dhe zhvillimi i vazhdueshëm.
Në 25-vjetorin e tij, UBT nuk feston vetëm historinë e suksesit, por konfirmon angazhimin për të vazhduar të jetë një shtyllë e ekonomisë së dijes dhe një motor i fuqishëm i punësimit në Kosovë.