UBT organizon aktivitet solemn për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë
15/02/2026Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, UBT organizon ceremoni solemne për të përkujtuar këtë moment historik dhe për të reflektuar mbi rrugëtimin e shtetndërtimit dhe zhvillimit të vendit tonë.
Ceremonia do të mbahet më 16 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:30, në Bibliotekë, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan. Kjo ngjarje do të mbledhë përfaqësues të komunitetit akademik, studentë, bashkëpunëtorë dhe mysafirë të ftuar, të cilët ndër vite kanë qenë pjesë e zhvillimit dhe suksesit të institucionit.
Gjatë ceremonisë, UBT do t’i ndajë Dekoratën Jetësore të Nderit Familjes Jashari, si shenjë respekti dhe nderimi për sakrificën dhe kontributin e tyre në lirinë e Kosovës. Po ashtu, do të ndahen mirënjohje për kontribut të veçantë në shkencë për Lothar Hofman, si dhe bursat dhe thirrjet akademike për studentët e UBT-së.
Programi i ceremonisë do të përfshijë fjalime nga personalitete të shquara, ndarjen e bursave institucionale, bursave të Fondacionit “UBT Jim Xhema” për studentë, si dhe thirrjet akademike. Aktiviteti do të shoqërohet edhe me një program artistik të përgatitur nga Fakulteti i Muzikës Moderne, Produksionit Digjital dhe Menaxhmentit.
Si pjesë e komunitetit akademik të UBT-së, prania e të gjithë kontribuuesve ndër vite merr një rëndësi të veçantë, pasi për 25 vite UBT ka qenë pjesë aktive e zhvillimit arsimor, shkencor dhe shoqëror të Kosovës.
Kjo ceremoni do të shërbejë si një moment reflektimi, krenarie dhe përkushtimi ndaj misionit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme për vendin tonë.