Hajrizi: UBT është pjekur për programe të doktoratës

18/03/2016

UBT është pjekur plotësisht  për të pasur programe të doktoratës. Këtë e thotë me bindje, rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi. Ai thekson se si institucion i arsimit të lartë, UBT i ka në stafin akademik 400 veta, teksa 20 deri 30 për qind e programeve mbështeten nga ndërkombëtarët.


Hajrizi shton se në UBT janë të regjistruar 9 mijë studentë, në drejtime e programe të ndryshme, në të dy nivelet ekzistuese: Bachelor e Master.


Sipas tij, stafi i mjaftueshëm akademik, infrastruktura e nevojshme, përvoja e krijuar 15-vjeçare, ndërkombëtarizimi dhe shumë elemente të tjera pozitive, janë të mjaftueshme që UBT të fillojë me programe të doktoratave.


Rektori tregon se UBT tashmë ka aplikuar për akreditim për studime të doktoratës.

 

“Presim që të formohet komisioni vlerësues përkatës, i cili duke pasur parasysh kohën e gjatë të veprimtarisë, bazën e zhvillimit të kuadrove tek ne dhe plotësimin e të gjitha kritereve të nevojshme, do të bindet se jemi pjekur edhe për studime në programe të doktoratës”, ka vijuar Hajrizi, i bindur se një gjë e tillë duhet të ndodhë së shpejti.


Kjo sepse, siç shprehet ai, me studimet e doktoratës prodhohet dije e re, si funksion i domosdoshëm për institucionet e arsimit të lartë.


“Ne kemi punuar shumë që t’i nxjerrim kuadrot tona, duke i dërguar në universitetet partnere evropiane për të doktoruar. Këtë e kemi bërë në mënyrë që te kemi doktorë të rinj, me përvojë ndërkombëtare dhe të ecim përpara”, ka thënë rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.

Gjithashtu, ai vë në pah se si institucion i arsimit të lartë, UBT, gjithnjë ka qenë dhe është fleksibil e proaktiv për krijimin e programeve të reja, për të cilat, saktëson ai, ka nevojë tregu i punës në Kosovë.