Rektori Hajrizi priti delegacion nga Bangladeshi në UBT
19/01/2026Rektori i UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi, priti në takim një delegacion nga Bangladeshi, të kryesuar nga Dr. Haider Uzzaman, President i Business Summit, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite pune.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe institucioneve përkatëse nga Bangladeshi, me fokus të veçantë në fushat e edukimit, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Palët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar ura bashkëpunimi që do të kontribuonin në shkëmbimin e njohurive, përvojave akademike dhe iniciativave të përbashkëta.
Rektori Hajrizi theksoi përkushtimin e UBT-së për ndërkombëtarizim dhe për forcimin e partneriteteve me institucione dhe organizata ndërkombëtare, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me vende të Azisë si Bangladeshi.
UBT e sheh me interes dhe optimizëm forcimin e lidhjeve me partnerë nga Bangladeshi dhe shtete të tjera aziatike, me qëllim të krijimit të iniciativave me interes të përbashkët që kontribuojnë në zhvillimin akademik, shkencor dhe shoqëror.