Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

24/12/2025

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.