Schneider Electric trajnon studentët e Masterit në UBT me softuerët më të avancuar energjetikë

09/12/2025

Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me kompaninë ndërkombëtare Schneider Electric, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë organizoi më 06–07 dhjetor 2025 një trajnim intensiv për profesorët dhe studentët e programeve master, në ambientet e UBT-së.

Schneider Electric i ka dhuruar fakultetit licenca profesionale për dy softuerët e avancuar EcoStruxure Power Design dhe EcoStruxure Power Build, të cilët janë ndër mjetet më bashkëkohore në fushën e projektimit elektroenergjetik. Për përdorimin e tyre, u zhvillua një trajnim dyditor i dedikuar, duke ofruar njohuri praktike dhe të thelluara.

Qëllimi i trajnimit ishte aftësimi i studentëve të studimeve master për projektimin dhe përgatitjen e projekteve për linjat e tensionit të ulët dhe të mesëm, përmes aplikimit të komponentëve të ndryshëm elektroenergjetikë si transformatorë, gjeneratorë, motorë, linja, zbarrat, stabilimente shpërndarëse, ndërprerës, siguresa dhe lloje të tjera të ngarkesave elektrike.

Po ashtu, trajnimi u mundësoi edhe profesorëve që në të ardhmen të zhvillojnë ushtrimet praktike të lëndëve të tyre duke përdorur këto softuerë modernë, duke rritur cilësinë dhe nivelin e përgatitjes profesionale të studentëve.

Në përfundim të trajnimit, studentëve pjesëmarrës iu ndanë detyra projektuese që do t’i zhvillojnë brenda një afati të caktuar dhe do t’i prezantojnë në kuadër të lëndës së studimeve Master “Analiza e Avancuar e Energjisë”. Pas prezantimit, ata do të pajisen me certifikata pjesëmarrjeje nga Schneider Electric, duke shtuar vlerë të rëndësishme profesionale në portofolin e tyre akademik.