
Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT u certifikuan për pjesëmarrjen aktive në projektin ndërkombëtar COWEB
12/11/2025Në ambientet e UBT-së u mbajt ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE), të cilët u certifikuan për pjesëmarrjen e tyre aktive në projektin ndërkombëtar COWEB (International Virtual Collaborative Learning in Western Balkan HEIs).
Në këtë ceremoni morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Muhamet Gërvalla.
Rektori i UBT-së vlerësoi kontributin e studentëve, stafit akademik dhe Fakultetit për përfshirjen në një projekt që nxit bashkëpunimin digjital, ndërkombëtarizimin dhe kreativitetin ndërdisiplinar përmes formave virtuale të bashkëpunimit.
Projekti COWEB, përmes International Virtual Collaborative Learning (VCL), ka bashkuar studentë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Italia, Sllovenia, Tunizia dhe Gjeorgjia, të cilët kanë punuar në mënyrë virtuale për të zhvilluar ide inovative dhe të qëndrueshme biznesi.
Në fokus të projektit ka qenë krijimi i koncepteve që përmirësojnë përvojën e çiklistëve përgjatë rrugës TransDinarica, një itinerar i jashtëzakonshëm që lidh kultura dhe shtete të ndryshme të rajonit.
Studentët kanë zhvilluar ide që përfshijnë aplikacione inteligjente të udhëtimit, platforma komunitare të turizmit dhe shërbime ekologjike, duke i prezantuar ato në sesione ndërkombëtare para profesorëve dhe ekspertëve të fushës.
Në këtë projekt kanë marrë pjesë studentët: Blinerë Hysenaj, Drilona Durmishi, Albion Nekaj, Erisa Shaqiri, Olsa Fejzullahu, Lion Hasi, Untela Azemi dhe Yllëza Haxhani.
Po ashtu, Edisa Brahimaj ka qenë e-tutor, duke ndihmuar në koordinimin dhe mbështetjen e pjesëmarrësve gjatë zhvillimit të aktiviteteve virtuale.
Në UBT, ky aktivitet është udhëhequr nga profesorët Gonxhe Beqiri, Kestrim Avdimetaj dhe Engelbert Zefaj, të cilët kanë mbështetur vazhdimisht studentët gjatë procesit të zhvillimit të projekteve dhe prezantimeve online.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave, studentët dhe stafi akademik ndanë përvojat e tyre rreth bashkëpunimit ndërkombëtar, përdorimit të veglave digjitale dhe përfitimeve që ky projekt ka sjellë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe kreative.
Rektori Hajrizi theksoi se pjesëmarrja e UBT-së në projekte të tilla ndërkombëtare është një dëshmi e përkushtimit për cilësi, inovacion dhe lidership në arsimin e lartë, duke i përgatitur studentët për tregun global të punës.
UBT mbetet partner i rëndësishëm i projektit COWEB, duke vazhduar të promovojë mësimin bashkëpunues virtual, ndërveprimin ndërkulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë.

