UBT sjell programin e mençur për sigurinë kibernetike në Konferencën më të madhe të IEEE-së për Teknologji dhe Siguri – “Smart Security for Smart Cities”

10/11/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi në Romë rezultatet e punës shkencore dhe inovative të ekipit të UBT-së dhe Universitetit të Sofjes për zhvillimin e programit të mençur për sigurinë kibernetike, i cili po implementohet tashmë në qytetin e mençur të UBT-së. Ky prezantim rriti interesimin e pjesëmarrësve, të cilët shtruan pyetje dhe shprehën kërkesën për implementimin e këtij modeli edhe në vende dhe sisteme të tjera në botë.

Gjatë Konferencës më të madhe të IEEE-së për Teknologji dhe Siguri, Rektori Hajrizi prezantoi temën “Advanced Techniques for Reconnaissance and Enumeration in Internal Network Security Assessments”, duke përfshirë rezultatet e punimeve shkencore të realizuara nga ai dhe kolegët nga UBT dhe Universiteti i Sofjes për Teknologji, në kuadër të programit për avancime shkencore.

Në kuadër të konferencës dhe panairit të teknologjisë, Rektori pati mundësinë të takojë përfaqësues dhe ekspertë nga ushtritë pjesë e Aleancës së NATO-s, ushtria italiane dhe amerikane, universitete të ndryshme nga e gjithë bota, si dhe përfaqësues të kompanive kryesore të sektorit teknologjik. Ai gjithashtu takoi Prof. DePonte, udhëheqësin e konferencës, me të cilin ranë dakord për nismat dhe marrëveshjet e bashkëpunimit në fusha specifike.

Rektori Hajrizi prezantoi punën e bërë në UBT në fushat e shkencës dhe teknologjisë që lidhen me sektorin e mbrojtjes, sigurisë dhe menaxhimit të infrastrukturës kritike dhe të qëndrueshme, duke vënë theks të veçantë në sigurinë kibernetike, robotikë, teknologjinë e droneve, 5G, Internet of Things, Digital Twins dhe Inteligjencën Artificiale. Ai prezantoi gjithashtu një sërë projektesh të financuara nga UBT dhe Bashkimi Evropian, të cilat kanë rezultuar me produkte dhe aplikacione inovative.

IEEE është një nga organizatat më prestigjioze në botë, dhe punimet e saj vlerësohen jashtëzakonisht shumë ndërkombëtarisht. Prof. Dr. Edmond Hajrizi është anëtar i rregullt i IEEE-së dhe kontribuon prej vitesh me punime dhe organizimin e eventeve të saj. UBT ka një kontribut të spikatur në kuadër të konferencave të IEEE-së.