
Profesorët e UBT-së përfaqësojnë institucionin në konferencën ndërkombëtare të projektit COWEB në Sarajevë
07/11/2025Profesorët Dr. Engelbert Zefaj dhe Dr. Mentor Shaqiri përfaqësuan UBT-në në konferencën punuese ndërkombëtare të projektit COWEB, e cila u mbajt në Sarajevë, në ambientet e International Burch University.

Gjatë konferencës, përfaqësues nga universitete partnere të rajonit prezantuan punimet dhe rezultatet e tyre kërkimore, duke ndarë përvoja mbi zhvillimin e praktikave të reja në mësimin virtual bashkëpunues.
Në këtë kuadër, profesori i UBT-së Dr. Engelbert Zefaj mbajti një prezantim me temën: “Kultura dhe Ndërkulturaliteti në Mësimin Virtual Bashkëpunues (VCL): Ndikimet Pedagogjike dhe Vlerësimi i Studentëve”, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndikimin pozitiv të tij në përmirësimin e përvojës së të nxënit.
Projekti COWEB ka për qëllim ndërtimin e kapaciteteve në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor për bashkëpunim ndërkombëtar virtual, duke promovuar pedagogji inovative dhe bashkëkrijimin e përmbajtjeve digjitale që forcojnë aftësitë dhe kompetencat e shekullit XXI.
Nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në këtë projekt, UBT vazhdon të dëshmojë rolin e tij si një ndër institucionet lidere në avancimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe në nxitjen e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
