Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën CIGRE Kosova mbi “Formësimin e fuqisë punëtore të së ardhmes: Perspektiva e universitetit mbi tregun e punës”

23/10/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga CIGRE Kosova, me temën “Formësimi i fuqisë punëtore të së ardhmes: Perspektiva e universitetit mbi tregun e punës në sektorin e energjisë”. Në këtë ngjarje u bashkuan ekspertë të energjisë, akademikë dhe përfaqësues të industrisë, për të diskutuar ndikimin e transformimeve teknologjike në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi se universitetet duhet të kenë një rol udhëheqës në përgatitjen e fuqisë punëtore të digjitalizuar, duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis arsimit, inovacionit dhe industrisë. Ai nënvizoi rëndësinë e edukimit ndërdisiplinar dhe zhvillimin e programeve studimore që përfshijnë fusha si energjia e zgjuar, inteligjenca artificiale, teknologjia 5G dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve.

Rektori Hajrizi po ashtu theksoi rëndësinë e studimeve të doktoratës dhe akreditimit të programeve në këtë nivel, si domosdoshmëri për zhvillimin e kërkimit shkencor të avancuar dhe përgatitjen e ekspertëve të nivelit të lartë që i nevojiten tregut të punës. Ai potencoi se akreditimi i doktoraturave në fushat e energjisë, teknologjisë dhe inovacionit është një hap i rëndësishëm për të forcuar lidhjen mes universiteteve dhe industrisë, si dhe për të krijuar një bazë të qëndrueshme të zhvillimit akademik dhe profesional.

Gjithashtu, Rektori prezantoi arritjet e UBT Smart City, e cila ka integruar teknologjinë 5G dhe sistemet e mençura të energjisë, duke e bërë UBT-në një ndër institucionet e para në rajon që po e zbatojnë në praktikë konceptin e qytetit të mençur (Smart City). Këto zhvillime lidhin drejtpërdrejt kërkimin shkencor me nevojat e ekonomisë moderne dhe krijojnë terren të përshtatshëm për përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në projekte të avancuara.

Rektori theksoi se sektori i energjisë është ndër më dinamikët në procesin e digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të mençura, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet universiteteve dhe industrisë, si dhe për krijimin e vendeve të punës të orientuara drejt inovacionit, qëndrueshmërisë dhe kërkimit shkencor të avancuar.

Konferenca CIGRE Kosova shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, nxitjen e kërkimit shkencor dhe forcimin e partneriteteve ndërmjet akademisë dhe sektorit energjetik, në funksion të përgatitjes së brezave të rinj për tregun dinamik të punës së së ardhmes.