Inovacion, qëndrueshmëri dhe ndikim social: Fjalimi i Rektorit Hajrizi në samitin e të rinjve

23/09/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Balkan International Youth Summit for Peace 2025, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi mbi 120 të rinj nga më shumë se 40 shtete të botës, së bashku me personalitete akademike, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në kuadër të samitit, Rektori Hajrizi mbajti një fjalim rreth temës: “Leading beyond boundaries: Innovation, Sustainability and Social Impact at UBT”, ku theksoi rëndësinë e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në arsim, si dhe rolin e UBT-së në fuqizimin e të rinjve si liderë të së ardhmes.

Ai theksoi se përmes edukimit dhe projekteve ndërkombëtare, studentët e UBT-së mësojnë të krijojnë ndikim social pozitiv, të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe të përfshihen aktivisht në shoqëri.

Samiti, i organizuar nga Youth and Students for Peace Balkan (YSP Balkan) në bashkëpunim me komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, zhvilloi tre ditë të plota dialogu, aktivitete inovative dhe programe kulturore që nxisin shkëmbimin ndërkulturor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar midis të rinjve.