Nga 23 deri më 25 tetor: UBT organizon Konferencën e Parë për Mjekësinë Sportive

22/09/2025

UBT do të organizojë për herë të parë Konferencën Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (IC-SM 2025), e cila do të mbahet nga 23 – 25 tetor 2025 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan.

IC-SM 2025 është një konferencë ndërkombëtare ku pritet të marrin pjesë studiues të njohur, akademikë, doktorantë, profesionistë dhe ekspertë të fushës së mjekësisë sportive dhe shëndetit publik. Ajo do të shërbejë si një urë bashkëpunimi midis komunitetit akademik, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave sportive për të avancuar kërkimet dhe praktikat moderne në këtë disiplinë gjithnjë e më të rëndësishme.

Temat kryesore të konferencës

Konferenca do të mbulojë një gamë të gjerë temash, ndër to:

  • Mjekësia klinike sportive dhe rehabilitimi
  • Menaxhimi i sëmundjeve kronike dhe popullatat e veçanta
  • Aspektet neurologjike dhe psikologjike të sportit
  • Shëndeti publik, ushqyerja dhe farmacologjia
  • Teknologjia, etika dhe trendet e së ardhmes
  • Konsideratat kardiovaskulare dhe biomekanike

Pjesëmarrës eminentë

Konferenca do të mbledhë në Prishtinë personalitete botërore të fushës së mjekësisë sportive, si:

  • Prof. Dr. Fabio Pigozzi – President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) dhe lider global në shëndetin olimpik
  • Prof. Dr. Norbert Bachl – Nënkryetar i FIMS, specialist në fiziologjinë e ushtrimeve dhe mjekësinë sportive, Universiteti i Vjenës
  • Annika Hangleiter – Menaxhere projektesh në Wearables Technologies AG, ligjëruese në Universitetin e Aplikuar të Mynihut
  • Prof. Dr. Gobert von Skrbensky – Specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë, Austri

 

Mbështetja institucionale

Konferenca organizohet nga UBT në bashkëpunim me:

  • Shoqatën e Mjekësisë Sportive dhe Ushtrimeve të Kosovës (KASEM)
  • Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS)
  • Komitetin Olimpik të Kosovës
  • Rrjetin Universitar të Ballkanit Perëndimor SHAPE Project – Sport, Health, and the People

Afatet e rëndësishme

Afati për dorëzimin e abstrakteve: 10 tetor 2025

Njoftimi i pranimit: 17 tetor 2025

Afati i regjistrimit të hershëm: 17 tetor 2025

Afati i regjistrimit të vonuar: 20 tetor 2025

Afati i dorëzimit të punimeve të plota: 14 nëntor 2025

IC-SM 2025 shënon një hap të madh për Kosovën dhe rajonin, duke e vendosur UBT-në dhe Prishtinën si një qendër të rëndësishme shkencore dhe sportive në nivel ndërkombëtar.