
Studentët e Arkitekturës së UBT-së realizuan praktikë profesionale në Kampin Bondsteel
09/09/2025Studentët e vitit të tretë në programin Bachelor në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, dega Ferizaj, në UBT, Lorik Selimi dhe Altin Callaku, përfunduan me sukses një praktikë profesionale tremujore Kampin Bondsteel, një prej bazave më të mëdha të Ushtrisë Amerikane në rajon.
Praktika u realizua në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare Kellogg Brown and Root (KBR), e cila është e specializuar në menaxhimin e projekteve inxhinierike dhe infrastrukturore në nivel global.
Përvojë unike me standarde ndërkombëtare
Gjatë kësaj praktike, studentët patën mundësinë të aplikojnë në mënyrë praktike njohuritë e fituara gjatë studimeve në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, duke u përfshirë drejtpërdrejt në proceset e mirëmbajtjes, menaxhimit dhe operimit të infrastrukturës në një ambient ndërkombëtar dhe kompleks si Bondsteel.
Ata morën pjesë në:
Inspektimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të infrastrukturës dhe objekteve;
Ndihmën në riparime teknike dhe ndërhyrje emergjente;
Bashkëpunimin me ekipet teknike dhe respektimin rigoroz të protokolleve të sigurisë në punë;
Përdorimin e pajisjeve moderne dhe mjeteve të mirëmbajtjes sipas standardeve KBR.
Kjo eksperiencë u mundësoi studentëve të përfitojnë njohuri të reja në lidhje me menaxhimin teknik-operativ të infrastrukturës, si dhe të kuptojnë nga afër funksionimin e një kampi ndërkombëtar me standarde të larta.
Fakulteti i Arkitekturës në UBT – ura drejt tregut të punës
Ky bashkëpunim është një dëshmi e qartë e qasjes praktike dhe profesionale që UBT i ofron studentëve të saj, duke i përgatitur jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht për tregun e punës. Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT është i njohur për orientimin e tij drejt praktikës, inovacionit dhe mundësive ndërkombëtare, duke i pajisur studentët me aftësi që janë të kërkuara në sektorin privat dhe publik, brenda dhe jashtë Kosovës.
Në përfundim të praktikës, studentët Lorik Selimi dhe Altin Callaku falënderuan kompaninë KBR për mikpritjen dhe përvojën e vlefshme, si dhe UBT-në që iu mundësoi këtë rrugë drejt një eksperience unike me standarde ndërkombëtare.