
UBT hap zyrtarisht Akademinë Verore 2025 në Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinieri: IoT për një të ardhme më të gjelbër
15/07/2025Me një ceremoni madhështore të zhvilluar në qendrën e UBT-së në Prishtinë, më 13 korrik 2025 u hap zyrtarisht Akademia Verore e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, nën moton “IoT për një të Ardhme më të Gjelbër” – një ngjarje ndërkombëtare që mbledh për një javë me radhë studentë, profesorë, studiues dhe profesionistë të industrisë nga e gjithë bota.
Akademia është organizuar nga UBT në bashkëpunim të ngushtë me Konsorciumin e Projektit IoT-ECO, dhe do të zgjasë nga 13 deri më 19 korrik 2025, duke ofruar një platformë intensive për diskutim, bashkëpunim dhe inovacion në fushën e Internetit të Gjërave (IoT), transformimit të gjelbër, dhe qyteteve të zgjuara.
Në sesionin e parë të ditës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti pjesëmarrësit me një prezantim rreth rëndësisë së teknologjisë së IoT dhe transformimit digjital për një të ardhme të qëndrueshme, duke prezantuar gjithashtu modelin inovativ të “Digital Twin” të qytetit të mençur UBT Smart City – një model virtual që demonstron se si teknologjia mund të shërbejë në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Pas fjalës hyrëse, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë prezantimin e koordinatores së projektit, Prof. Dr. Galia Marinova, e cila ndau arritjet dhe implementimin e projektit IoT-ECO në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Profesor Zhilbert Tafa nga UBT, prezantoi më pas hub-in e IoT dhe konceptin e “Digital Twins” të kampusit universitar si model funksional për monitorim mjedisor në kohë reale.
Programi i ditës u pasurua me tryezë të rrumbullakët me partnerë nga akademia dhe industria, ku u diskutuan transformimet e gjelbra në Ballkanin Perëndimor, si dhe u nënshkruan memorandume bashkëpunimi me kompani dhe institucione që janë pjesë e ekosistemit të teknologjisë dhe inovacionit.
Në sesionet e pasdites, pjesëmarrësit ndoqën ligjërata të veçanta nga Neil Guerrero Gonzalez i Universitetit Kombëtar të Kolumbisë dhe përfaqësues të Universitetit të Patras-it nga Greqia, të cilët prezantuan tema të avancuara në kuadër të zhvillimeve më të fundit në IoT, inteligjencës artificiale dhe aplikimeve të tyre në bujqësi të qëndrueshme dhe qytete inteligjente.
Gjatë gjithë javës, Akademia do të vazhdojë me:
- Sesione të ligjëratave dhe prezantimeve tematike
- Punëtori për bashkëpunime akademike Erasmus+ dhe Horizon Europe
- Hackathon ndëruniversitar për krijimin e zgjidhjeve të zgjuara
- Sesione të startup-eve dhe inovacionit studentor
- Aktivitete kulturore, performanca muzikore dhe ekskursione në Prishtinë
Akademia Verore 2025 është një model i shkëlqyer i angazhimit të UBT-së si lider rajonal dhe ndërkombëtar në shkencat teknologjike dhe inovacion, duke ndërtuar ura midis akademisë, industrisë dhe shoqërisë për të kontribuar në një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme.