Fokusi në Energjinë e Gjelbër: Akademia Verore në Inxhinieri të Energjisë mbyllet me sukses

09/07/2025

Ka përfunduar Akademia Verore dyditore në Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë, ku fokusi kryesor kanë qenë Burimet e Energjisë së Rinovueshme (BRE), me theks të veçantë në sistemet solare dhe ndikimin e tyre në sistemin elektroenergjetik të Kosovës.

Temat që u trajtuan nga ligjëruesit e ftuar në Akademinë Verore kanë qenë:

Ditën e martë, më 08.07.2025:

Instalimi i sistemeve solare në objektet rezidenciale dhe industriale, ku ligjëroi Ing. Elek. Erzen Krasniqi – ndërmarrës privat.

Rrjeti i Gjeneratës së Ardhshme CIGRE në Kosovë, ku ligjëroi Ing. Elek. Drenusha Gashi – menaxhere në SCADA në KEDS.

Ditën e mërkurë, më 09.07.2025:

Panelet diellore fotovoltaike: Prodhimi dhe dobitë e tyre, ku ligjëroi Ing. Elek. Saranda Bytyqi – ish-menaxhere në prodhim në Jaha Solar.

Ndikimi i BRE-ve në sistemin e shpërndarjes së Kosovës, ku ligjëroi Blerton Mustafa – drejtor i Shërbimeve Teknike të Konsumatorëve në KEDS.

Në Akademinë Verore ishin të pranishëm studentë të nivelit Bachelor, Master, si dhe staf akademik, ku u shkëmbyen njohuri dhe përvoja në fushën e energjisë së rinovueshme dhe ndikimit të saj në sistemin elektroenergjetik, veçanërisht në kontekstin e integrimit të energjisë së rinovueshme në sektorin energjetik të Kosovës.

Të gjithë pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në Akademinë Verore do të pajisen me një certifikatë pjesëmarrjeje me ECTS në Akademinë e Inxhinierisë së Energjisë me temë: Ndikimi i Burimeve të Energjisë së Rinovueshme (BRE) në sistemin elektroenergjetik të Kosovës.