
Panairi i Ushqimit në UBT Prizren – Një ditë e veçantë e shkencës, inovacionit dhe traditës ushqimore
27/05/2025Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT kanë realizuar me shumë sukses Panairin e Ushqimit në qytetin e Prizrenit, në një organizim që përveç prezantimit të produkteve inovative, shërbeu edhe si urë lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë ushqimore.
Aktiviteti u mbajt në ambientet moderne të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP), ku morën pjesë studentë, profesorë, ekspertë të industrisë dhe qytetarë të interesuar për ushqimin cilësor dhe të shëndetshëm.
Gjatë panairit, vizitorët patën mundësinë të shijojnë dhe të vlerësojnë produkte ushqimore të përgatitura nga vetë studentët, të cilat përfshinin nga ushqime tradicionale e deri te produktet më moderne të përpunuara me teknologji bashkëkohore. Kjo shpalosi jo vetëm kreativitetin dhe përkushtimin e studentëve, por edhe njohuritë e tyre të avancuara në bioteknologji dhe standardet e cilësisë ushqimore.
Në hapje të panairit, prof. Vehbi Sofiu, theksoi se ky aktivitet ishte më shumë se një ditë e zakonshme akademike – ishte një ditë e veçantë, e mbushur me orientim drejt shkencës, inovacionit dhe laboratorëve të avancuar që UBT ka ndërtuar për studentët e saj.
“Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë është ndër më të mirët në Republikën e Kosovës dhe më gjerë, dhe këtë po e dëshmojmë përmes arritjeve që studentët tanë po i prezantojnë në bashkëpunim me industrinë”, u shpreh ai.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Prizreni ka një traditë të madhe në prodhimtarinë ushqimore, dhe UBT po e përjeton dhe respekton këtë traditë përmes aktiviteteve konkrete.
“Krijohet një festival i vërtetë ku dërgojmë një mesazh të fuqishëm: që ushqimi cilësor, edukimi, dhe inovacioni janë baza për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Rektori. Ai shtoi se UBT ka ndërtuar një ekosistem të mirëfilltë të quajtur “UBT Smart City”, me synim të transformojë kampuset në qendra të dijes, punësimit dhe stabilitetit ekonomik për komunitetin.
Menaxheri i projektit ITP Hans-Juergen Cassens, vlerësoi bashkëpunimin me UBT-në dhe rolin e saj në zhvillimin e ekosistemit lokal:
“UBT është partner kyç në ndërtimin e këtij ekosistemi të dijes dhe inovacionit. Si institucion, UBT luan rol të rëndësishëm si në edukim, ashtu edhe në gjenerimin e ideve dhe praktikave të reja që mund të shndërrohen në biznese të qëndrueshme”.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Cengiz Çesko, Drejtor i Institutit të Forenzikës në UBT, i cili vlerësoi punën dhe angazhimin e studentëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinar në fushën e shkencave të jetës, teknologjisë ushqimore dhe sigurisë ushqimore.
“Ky panair dëshmon qartë se studentët tanë po formohen jo vetëm si profesionistë të së ardhmes, por edhe si kontribuues të rëndësishëm në garantimin e cilësisë dhe sigurisë së ushqimit në vend”, u shpreh Çesko.
Ky panair dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UBT-së ndaj arsimimit cilësor, praktikës profesionale dhe nxitjes së inovacionit. Studentët përjetuan një ditë ndryshe nga ligjëratat e zakonshme, ku prezantuan dijet dhe pasionin e tyre në një format interaktiv dhe të vlerësuar nga të gjithë të pranishmit.