Studentët e Masterit në Inxhinieri Ndërtimi dhe Infrastrukturë ndjekin ligjëratë të veçantë mbi projektimin arkitektonik të qëndrueshëm dhe strukturat e drurit të lameluar

22/05/2025

Në kuadër të lëndës “Konstruksionet e Drurit të Lameluar”, e udhëhequr nga profesori Visar Krelani dhe asistuar nga asistent Ilir Hetemi, studentët e nivelit Master të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë dhe mjaft frymëzuese mbi ndërthurjen e arkitekturës me inxhinierinë ndërtimore dhe rëndësinë e përdorimit të materialeve të qëndrueshme në ndërtim.

Ligjërata u mbajt nga Prof. Egzon Bajraktari, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet arkitektëve dhe inxhinierëve në çdo fazë të zhvillimit të një projekti. Ai prezantoi koncepte të rëndësishme për projektimin e qëndrueshëm, duke u ndalur në veçanti te potenciali i strukturave me dru të lameluar – një material inovativ dhe ekologjik, i cili po bëhet gjithnjë e më i përdorur në vendet e zhvilluara dhe tashmë po hyn fuqishëm edhe në tregun e ndërtimit në Kosovë.

Në vazhdim të ligjëratës, studenti në përfundim të studimeve master, Inxhinier Edvis Spahiu, prezantoi një zgjidhje konkrete strukturore, e shoqëruar me kalkulimet teknike të nevojshme për realizimin e saj, duke demonstruar njohuritë dhe aftësitë praktike të fituara gjatë studimeve në UBT.

Ligjërata u shoqërua me një diskutim të gjallë dhe interaktiv mes studentëve, profesorëve dhe të ftuarve, duke nxitur debate shumë pozitive dhe produktive që kontribuan në një përvojë të vlefshme akademike.

Përmes kësaj ngjarjeje, u dëshmua edhe një herë rëndësia e ndërdisiplinaritetit në UBT, ku bashkëpunimi mes fakulteteve është jo vetëm i inkurajuar, por thelbësor për përgatitjen e kuadrove profesionale të afta për tregun global të punës. Të dy fakultetet u zotuan të forcojnë më tej bashkëpunimin, duke mundësuar aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen.