
Studentët e Fakultetit MBE të UBT-së morën pjesë në “Kosova Finance Forum 2025” – një ndër ngjarjet kryesore të sektorit financiar në vend
22/05/2025Një grup studentësh nga Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, të shoqëruar nga Prof. Shpresim Vranovci, morën pjesë në “Kosova Finance Forum 2025”, i cili u mbajt në ambientet e Beethoven Hall në Prishtinë.
Ky forum është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në kalendarin financiar të Kosovës dhe një platformë strategjike për dialog profesional dhe politikëbërje financiare në nivel kombëtar e rajonal.
Forumi mblodhi në një vend emrat më të spikatur të fushës së financave, përfaqësues nga Banka Qendrore e Kosovës, banka komerciale, institucione mikrofinanciare dhe fintech, fonda investive, kompani sigurimesh, si dhe ekspertë të fushës së financave dhe transformimit digjital nga vendi dhe rajoni, përfshirë edhe përfaqësues nga organizata ndërkombëtare dhe institucione akademike.
Për studentët e UBT-së, pjesëmarrja në këtë forum përbën një mundësi të jashtëzakonshme për të ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit në sektorin financiar, duke dëgjuar diskutime të thelluara mbi:
- Stabilitetin financiar dhe bashkëpunimin rajonal
- Open Banking dhe teknologjitë financiare (fintech)
- Financimin e tranzicionit energjetik dhe të qëndrueshëm
- Inovacionet digjitale në shërbimet financiare
- Sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave financiare
Përmes këtyre sesioneve, studentët pasuruan njohuritë e tyre praktike, u ekspozuan ndaj modeleve të suksesshme të menaxhimit financiar dhe zhvillimeve teknologjike në këtë fushë, si dhe patën mundësi të ndërveprojnë me profesionistë dhe vendimmarrës të rëndësishëm të industrisë.
UBT, si institucion lider në arsimin e lartë në Kosovë, vazhdon të krijojë urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës, duke u ofruar studentëve përvoja konkrete dhe pjesëmarrje në ngjarje me ndikim në formësimin e të ardhmes ekonomike dhe financiare të vendit.