
Ndërron jetë profesori Arsim Murseli
22/05/2025Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit, arkitektit dhe intelektualit të shquar, Arsim Murseli – një bashkëpunëtor i respektuar, mik i afërt dhe kontribuues i rëndësishëm në komunitetin akademik të UBT-së.
Profesor Arsim Murseli do të kujtohet përgjithmonë për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e arsimit të lartë, veçanërisht në fushën e arkitekturës, për vizionin e tij të gjerë, përkushtimin profesional dhe integritetin njerëzor që e karakterizonte. Ai ishte një figurë e rrallë, që me mençurinë, modestinë dhe dashurinë për dijen, frymëzoi breza të tërë studentësh dhe kolegësh.
Si ligjërues dhe arkitekt i shquar, ai kontribuoi në realizimin e shumë projekteve të përbashkëta, duke e mbajtur gjithmonë përparësi edukimin dhe zhvillimin profesional të studentëve dhe kolegëve të tij. Angazhimi i tij në udhëheqjen e degës së UBT-së në Ferizaj ka lënë pas një trashëgimi të qëndrueshme, ndërsa puna e tij e palodhur për avancimin e arsimit dhe arkitekturës do të jetë gjithmonë një shembull për të gjithë ata që e ndoqën.
Në emër të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, stafit akademik, administrativ dhe studentëve, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Murseli, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta vlerësojnë figurën dhe veprën e tij.
U prehtë në paqe shpirti i tij fisnik dhe kujtimi për të qoftë i përjetshëm!