Studentët e Medias dhe Komunikimit të UBT-së në vizitë studimore në “Telegrafi” – Një përvojë praktike mbi gazetarinë moderne dhe rolin e mediave në shoqëri

16/05/2025

Studentët e programit Media dhe Komunikim të UBT-së zhvilluan një vizitë studimore në ambientet e portalit informativ “Telegrafi”. Gjatë vizitës, ata u mirëpritën nga kryeredaktori Muhamet Hajrullahu, i cili ndau me ta përvojën e tij shumëvjeçare në fushën e gazetarisë dhe menaxhimit të redaksive moderne.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që studentët të njihen nga afër me funksionimin ditor të një redaksie digjitale, duke ndjekur në kohë reale procesin e krijimit, verifikimit dhe publikimit të lajmeve, përzgjedhjen e temave, raportimin nga terreni, si dhe mënyrën sesi zhvillohet një storie nga një ide fillestare deri te publikimi final.

Gjatë bashkëbisedimit me kryeredaktorin Hajrullahu, studentët patën mundësinë të diskutojnë për sfidat e gazetarisë së sotme, ndikimin e mediave sociale në ciklin e lajmeve, rëndësinë e etikës profesionale dhe objektivitetit, si dhe rolin kritik të gazetarit në informimin e opinionit publik dhe në ruajtjen e demokracisë.

Vizita u shoqërua edhe me një prezantim nga stafi i redaksisë për mënyrën se si operon portali “Telegrafi”, duke përfshirë ndarjen e punëve brenda ekipeve redaktoriale, përdorimin e teknologjisë në mbledhjen e të dhënave, analizimin e statistikave të lexueshmërisë dhe implementimin e strategjive për përmbajtje të personalizuar për audiencën.

Kjo vizitë është pjesë e qasjes së UBT-së për të integruar në mënyrë të vazhdueshme praktikën profesionale në procesin mësimor, duke i ekspozuar studentët ndaj realitetit të tregut të punës dhe duke i përgatitur ata për sfidat e gazetarisë dhe komunikimit modern.

Programi Media dhe Komunikim në UBT synon të formojë gazetarë, redaktorë dhe zëdhënës, që mendojnë në mënyrë kritike dhe veprojnë me përgjegjësi në hapësirat publike dhe institucionale.