UBT forcon arsimin juridik me vizita studimore në institucione të drejtësisë – Studentët e Juridikut vizitojnë Gjykatën Themelore në Prizren

15/05/2025

Studentët e Fakultetit Juridik të UBT-së, dega në Prizren, zhvilluan një vizitë studimore me rëndësi të veçantë në ambientet e Gjykatës Themelore në Prizren, me qëllim të thellimit të njohurive praktike mbi funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

Nën udhëheqjen dhe shoqërimin profesional të Prof. Ass. Dr. Merita Muharremi, studentët patën rastin të njihen nga afër me strukturën organizative të gjykatës, rrjedhën e proceseve gjyqësore dhe punën e përditshme të gjyqtarëve, avokatëve dhe administratës gjyqësore.

Vizita u realizua në përputhje të plotë me përmbajtjen teorike të lëndëve “Bazat e Sistemit Gjyqësor” dhe “E Drejta Biznesore”, duke i mundësuar studentëve të kuptojnë më mirë rolin dhe funksionet e pushtetit gjyqësor, si dhe ndërlidhjen e tij me çështjet juridike që kanë natyrë ekonomike.

Përmes kësaj eksperience të drejtpërdrejtë, studentët jo vetëm që forcuan njohuritë e fituara në auditor, por gjithashtu fituan perspektiva të reja mbi rëndësinë e drejtësisë në shoqëri dhe ndikimin konkret të saj në fushën e biznesit dhe ekonomisë.

UBT, përmes programeve të tij moderne dhe metodologjisë së mësimdhënies që kombinon teorinë me praktikën, mbetet një nga institucionet udhëheqëse për formimin e juristëve të rinj me vizion, profesionalizëm dhe etikë.